NGA FATMIRA NIKOLLI


(ILLYRICUM SACRUM- Danjel Farlati & Jakob Koleti- përkthye shqip prej latinishtes nga Dom Frano Ilijaj). Vepra “ILLYRICUM SACRUM” (Ilirija Kishtare), përbahet prej tetë volumesh. Volumi VII rreshton historinë kishtare dhe lidhun me të atë civile të Metropolive të Djoklesë, Tivarit, Shkodrës, Durrësit e të Sirmit dhe sufraganve ose djeçesve që varen prej tyne. Prej kësi volumi deri tash kemi përkthye pjesët që i përkasin mbrendisë së kufijve të sodshëm të Shqipnisë dmth., sa iu përket Shkodrës e Durrësit dhe sufraganve të tyne. Në këto volum të VII përshkruhet themelimi i qyteteve dhe i djeçezeve, tue gërshetue me historinë kishtare atë civile, t’atyne vendeve. Shfrytëzohen mirë dokumentet, historianët e gjeografët e ndryshëm… Ky volum përfshin landen historike deri në fillim të shek.XVIII, kur edhe botohet.


Vepra “ILLYRICUM SACRUM” asht rreshtue në giuhë latine klasike. Për plotësimin e këtij kuadri historik me randsi të madhe të vendit tonë, nevojiten edhe pjesë të tjera të këtij volumi ashtu edhe volumi i VIII. Po të kërkohet, jemi gadi të vazhdojmë këtë punë të mundshme me shpresë se do të jetë nji kontribut i mire për njohjen e historisë së vendit tonë të dashtun nga brezat e rijë të popullit tonë. D.Frano Ilijaj (Milot 19/ VIII/ 1963.) Ende sot, më shumë se pesëdhjetë vite nga koha kur Dom Frano Ilijaj shkroi këto radhë, vepra nuk është botuar.


Bëhet fjalë për një vepër përkthyer nga latinishtja, që hedh dritë mbi “Shqipërinë” e 1700-ës. “Më 19 gusht 1963, Dom Frano Ilijaj përfundoi përkthimin e veprës ‘Illyricum Sacrum’ të Daniele Farlati-t. Po atë vit ia propozoi veprën për botim Institutit të Historisë në Tiranë. Vepra është ende e pa botuar dhe ruhet në AQSh. Foto: AQSh”. Ky njoftim i thjeshtë i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në faqen zyrtare në “Facebook”, kujton ende se cila është rëndësia e veprës, porositësi i saj Papa Klementi (Albani), autorët e saj, përkthyesin dhe historinë e tij të trishtë në burgjet komuniste, e historinë po aq të trishtë të kësaj vepre – ende në dorëshkrim në Arkiv prej 1963-it. Ish-drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, studiuesja Nevila Nika, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon takimin me dom Frano Ilijajn dhe arsyet pse ka mbetur ende pa botuar.

– Pse ka mbetur ende e pabotuar prej 50 vitesh vepra “Ilyricum Sacrum” e përkthyer nga Frano Ilijaj?
Vepra e përkthyer nga imzot Frano Ilijaj, e daktilografuar gjendet në Arkivin e Shtetit që nga momenti kur ai arrestohet më 1967-ën, kur mbyllen kishat e objektet e kultit, e ndalohet feja. Dokumentet e Frano Ilisë, që atëkohë shërbente në Famullinë e Laçit, vijnë në Arkivin e Shtetit nëpërmjet një rruge “të shtrembër” – nuk vijnë nga dora e Frano Ilisë, por vijnë nga ana e policisë sekrete. Gjatë arrestimit të tij, atij i ishte sekuestruar gjithçka: përkthimi i “Ilyricum Sacrum”, “Kanuni i Skënderbeut”, “Jeta e Jezu Krishtit”, letërkëmbime e fotografi, gjithçka që ai pati në qelën e tij si famullitar. Kjo është rruga përmes së cilës dokumentet erdhën në Arkiv.

-Pse nuk është botuar ende? Ai i ka dërguar një letër në vitin 1963 Institutit të Historisë, ku i kërkonte që kjo vepër të botohej?
Kjo mbeti e pabotuar si shumë punime e vepra të tjera të shumë njerëzve të shquar, që mbetën në heshtje për shkak të regjimit dhe të trysnisë që ushtrohej ndaj tyre. Nuk është vetëm Dom Frano Ilijaj, është Martin Prela që bën historikun e Françeskanëve, Donat Kurti, janë shumë që punojnë, përkthejnë, shqipërojnë, vepra të shquara pa u dalë emri. Emrat e tyre ne nuk i dëgjuam deri pas 1990-ës, u shkruanin Instituteve përkatëse të Historisë e të GjuhëLetërsisë, ose të Folklorit për t’u botuar këto materiale që i shërbenin kombit, vendit, por nuk merreshin parasysh për shkak se ishin klerikë dhe një kleriku nuk mund t’ia bënin këtë “nder”. Në fakt, nderi do i bëhej vendit, por regjimi nuk e pranonte. “Illyricum Sacrum” nuk e pa dritën e botimit, ashtu sikurse “Kanuni i Skënderbeut” nuk e pa deri pas 1990-ës. -Sa material ka përthyer ai nga vepra e Daniele Farlati dhe Jakob Koletit? Është vëllimi i shtatë dhe 40 faqe nga vëllimi i tetë, që flasin për trojet shqiptare, do të thotë: Shqipërinë që jemi ne sot dhe zonat në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë – pra tokat që banoheshin nga shqiptarët.

– Ju keni pasur një përpjekje për ta botuar këtë vepër vite më parë, ndërsa e keni takuar nga afër edhe Frano Ilijajn. Si e mbani mend takimin me të?
Unë Frano Ilijajn e kam njohur vetë personalisht në një rrethanë pak të çuditshme. Unë e kisha njohur atë përmes fotografive; parë prej aty, nga rroba e klerikut, na kishte dhënë idenë mua dhe kolegëve të mia sikur kishte qenë i moshuar në kohën që u arrestua. Mirëpo, ai nuk kishte qenë aq i madh në moshë. Ish-arrestuar kur kishte qenë 51 vjeç. Ne nuk e kishim menduar kurrë se këta personazhe që ne kishim një jetë të tërë që i lexonim përmes dokumenteve të tyre, do i takonim të gjallë. Kur e kam takuar në oborrin e Arkivit të Shtetit, kam ngelur e shokuar, sepse nuk u besoja syve që ai ishte gjallë. Ky ka qenë takimi i parë. E kam pritur pastaj dhe kemi biseduar. Mbaj mend lotët e tij, kur i treguam fotot e nënës dhe të nipit. Ai u mallëngjye, sepse kishte menduar që gjithçka i kishte humbur dhe nuk do t’i gjente më. Në fakt, ato fotografi e dokumente qenë ruajtur edhe në Arkiv dhe i mbijetuan furtunës pas 1967-ës.

-Kur e takuat pas burgut Frano Ilijajn, i a pa ai dorëshkrimet e veta?
Ka qenë shumë prekëse, ai shoqërohej nga Kolec Cefa dhe kur i pa, ai filloi të lotonte. U tregua mirënjohës ndaj nesh, por ishim ne që donim të tregoheshim mirënjohës ndaj tij për punën që kishte bërë. Ai ka qenë njeri i jashtëzakonshëm.

– Sa fletë janë?
Rreth 632 faqe të daktilografuara. Ashtu si i ka gjetur dhe shkruar ai, i ka shtypur vetë. Ai i pa të gjitha, mori fotokopjet dhe origjinalet i la, fondi i tij është tanimë i përpunuar.

– Qenë arsyet financiare që e lanë pa botuar, apo pati vështirësi të tjera?
Vitet pas 1990-ës, qenë vite shumë të vrullshme në Arkivin e Shtetit. Nuk i patëm mundësitë as njerëzore e as financiare për t’i botuar. Duke u afruar 100-vjetori i Pavarësisë, me nxitjen e Dom Nikë Ukgjinit, unë ndërmora punën për ta botuar këtë vepër. Ndërkaq, Frano Ilijaj nuk jetonte më, por vepra e tij ishte e jashtëzakonshme. U bisedua me zonjën Evalda Paci që punon në Institutin e Letërsisë, që ajo të mund të përkthente pjesët që kishin mbetur pa përkthyer nga Dom Frano Ilijaj. Ana financiare ishte mbase diçka që do të zgjidhej. Problemi ishte që përkthimi që ka bërë imzot Ilia është me një gegërishte pak të vështirë për publikun e gjerë, kështu që kërkonte një lloj redaktimi – për ta sjellë në një gegërishte pak më të afërt me publikun – dhe pse ajo gegërisht do të rrinte gjithsesi. E këtij mendimi jam edhe sot, do ruhej origjinaliteti. Vështirësia e dytë ishte që terminologjia fetare, nuk e njohin shumë njerëz. Edhe ata që po bënin radhitjen e librit, filluan të kishin vështirësi e probleme – nuk e kuptonin çfarë po shkruanin. Plus kësaj, ishte edhe pjesa që përkthimi që do bënte Evalda Paci do të hante kohë. Si shumë gjëra të bukura dhe mund t’ia kishim dalë, por unë u largova nga Arkivi i Shtetit. Interesimi im ka qenë i madh, sepse edhe doktoraturën time kam mbrojtur me dokumente të klerit katolik. Pra, kisha një lloj lidhje me ta – një lidhje të afërt për shkak të një jetë të tërë që kam punuar me ato dokumente.

-Cilat janë vlerat për të cilat kjo vepër meriton të botohet?
E porositur nga Papa Klementi apo Albani, të cilit i kanë dhënë shumë merita jo vetëm në drejtim të mbështetjes që i dha klerit vlerat e saj janë disa. Në të flitet për historinë e kishës, të Arqipeshkvive, dioqezave, kuvendeve. Ka përshkrime të gjendjes së popullatës që i takojnë këtij besimi, ka të dhëna jashtëzakonisht interesante. Vëllimi i shtatë flet kryesisht për trojet shqiptare. Ato të dhëna janë burim i jashtëzakonshëm për historianët, për gjuhëtarët, për antropologët, etnografët e për këdo që do të studiojë për të kaluarën tonë. Shpresojmë t’ia dalim ta shohim të botuar siç pamë edhe Kanunin e Skënderbeut.

-Si nisi përgatitja e veprës “Illyricum sacrum”?
Punën e filloi dom Filipo Riceputti, i cili gjatë kohës që ishte në Split, mblodhi shumë dokumente për veprën e ardhshme, të cilën e kishte projektuar qysh në Vjenë. Mbështetur nga Papa Klementi nisi puna dhe më pas u bashkëngjit dom Daniele Farlati. Ky i fundit ndryshoi formën e menduar nga Riceputti. E gjithë vepra është e bazuar në dokumente origjinale, gjë që e bën edhe më me vlerë. Farlati nuk e mbaroi dot veprën, arriti deri tek volumi i 5-të e më pas e vazhdoi dom Jacopo Poleti, mbështetur në sa i kishte lënë Farlati. Historianët e kanë cituar ketë vepër, por jo aq sa duhet sidomos nga tanët. Para ‘90-ës nuk bëhej fjalë që të jetë cituar e jo më shfrytëzuar, pasi konsiderohej si një vepër me karakter fetar.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Etiketa: