“Ne nuk jemi terroristë dhe na pëlqen të ndajmë bakllava me fqinjët tanë,” thotë një nga mesazhet e postuara në Facebook nga një myfti i Beogradit i quajtur Mustafa Jusufspahiç.

Jusufspahiç është ndër liderët e paktë fetarë në Serbi që përdor mediat sociale për të komunikuar me ndjekësit e tij.

“Zoti na e dha njëri-tjetrin që ta njohim njëri-tjetrin dhe jo që të luftojmë,” tha Jusufspahiç në përshkrimin e një fotoje në Twitter, ku paraqitet ai duke shtrënguar duart me një prift katolik dhe një prift të krishterë ortodoks.

Ballkani për shekuj me radhë ka qenë një vend me disa fe të ndryshme dhe deri vonë, shumica e liderëve fetarë përdorën mënyra të vjetra për të komunikuar besimet e tyre – nëpërmjet predikimeve në kishat, sinagogat dhe xhamitë e tyre.

Por pasi autoritetet në shumë shtete të Ballkanit futën pas hekurave dhjetëra imamë të vetëshpallur për përhapje dhune në internet dhe nxitje terrorizmi, imamë nga komunitetet islamike zyrtare dhe të miratuara nga qeveria kanë vendosur të regjistrohen në Facebook, Twitter, Instagram dhe YouTube për të përhapur kudo mesazhin e tyre.

Bashkëpunim me yje futbolli
Faqja e Facebookut e imamit të Xhamisë së Tabakëve në Tiranë, Elvis Naci, është bërë shumë popullore për shqiptarët. Llogaria e tij në Facebook dhe Instagram, të cilat ai përdor për të komunikuar pikëpamjet e tij të moderuara mbi Islamin dhe për të bërë thirrje për paqe dhe mirëkuptim midis besimtarëve në Ballkan, aktualisht kanë gjysmë milioni ndjekës. Midis tyre është ylli shqiptar i futbollit, Lorik Cana, i cili shpesh komenton nëpër postimet e Nacit.

Ylli Gurra, një myfti i Tiranës dhe përfaqësuesi i Komunitetit Islamik në Shqipëri, pjesë e të cilit është edhe Naci, thotë se imamët që mbikëqyrin jetën fetare në Tiranë dhe në Shqipëri në përgjithësi i kanë këshilluar ndjekësit e tyre -sidomos të rinjtë- të qëndrojnë larg xhamive informale që nuk njihen nga Komuniteti Mysliman, ku klerikët radikalë predikojnë interpretime ekstremiste të Islamit.

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra (majtas) dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu

Gurra megjithatë e pranon se përdorimi i rrjeteve sociale nga imamët është ende në fazat e hershme.
“Shumica e imamëve besojnë se predikimi dhe dhënia e këshillave përmes rrjeteve shoqërore nuk është gjithmonë i domosdoshëm. Unë personalisht i përdor ato, më shumë për të dhënë një lloj kundër përgjigjeje kur forma të pasakta të Islamit predikohen në internet,” tha ai për BIRN.

Në Maqedoninë fqinjë, Komuniteti zyrtar Mysliman është bërë gjithashtu shumë aktiv në rrjetet sociale gjatë disa viteve të fundit, duke u përpjekur të përballet ose të pengojë njerëzit me pikëpamje radikale që ndryshojnë nga mësimet e moderuara islame.

Zëdhënësi i tij Goni Vojnika tha për BIRN se një numër në rritje i imamëve maqedonas, përfshirë kreun e Komunitetit Mysliman të Maqedonisë (IVZ), Sulejman Rexhepi, po i drejtohen rrjeteve sociale për këtë qëllim.

“Ne po përpiqemi t’u shpjegojmë besimtarëve tanë se ISIS nuk përfaqëson Islamin dhe se IVZ ka qenë gjithmonë e orientuar kundër çdo konflikti apo lufte. Sa herë që mundemi, ne dënojmë terrorizmin dhe në veçanti shpjegojmë se dhuna në emër të fesë nuk është mënyra e duhur,” tha Vojnika.

Vonika shtoi se s’është e rrallë që imamët të marrin pjesë në biseda në internet kur idetë radikale propagandohen në përpjekje për të ndaluar ose paralajmëruar njerëzit që të mos u jepen pikëpamjeve të tilla.

Imamët e burgosur shqiptarë të radikalizuar jashtë shtetit
Katër imamë janë aktualisht në burg në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, duke shlyer dënimin nga 7 deri në 18 vjet burg për rekrutim njerëzish që t’i bashkohen të ashtuquajturit Shteti Islamik dhe grupeve të tjera islamike ekstreme dhe nxitje terrorizmi nëpërmjet predikimit të tyre.

Gjykatat shqiptare në maj 2016 dënuan imamin Bujar Hysa me 18 vjet burg dhe kolegun e tij Genci Balla me 17 vjet burg.
Autoritetet në Kosovën fqinje arrestuan 14 imamë në verën e vitit 2014.

imamet e burgosur

Deri më tani, njëri prej tyre, Zeqirja Qazimi, një imam në Gjilan, është dënuar dhe burgosur për, ndër të tjera, udhëzim të luftëtarëve të ISIS përfshirë famëkeqin Lavdrim Muhaxheri, një komandant kyç nga Kosova i cili vdiq në qershor.

Prokurorët kanë akuzuar pesë të tjerë për rekrutim dhe nxitje të terrorizmit nëpërmjet predikimit të tyre.

Enes Goga nga Peja, Idriz Biliani dhe Mazllom Mazllomi nga Prizreni, dhe Bedri Robaj dhe Shefqet Krasniqi nga Prishtina po presin të dalin në gjyq. Asnjë masë sigurie nuk është imponuar për të siguruar praninë e tyre në gjykatë.

Në Maqedoni, Rexhep Memishi, një imam në dy xhami në Shkup, u dënua me 7 vjet burg në mars 2016.

Të gjithë ata që janë arrestuar dhe burgosur përfaqësojnë një formë të ashpër dhe konservatore të Islamit. Tre prej tyre studiuan dhe jetuan me vite me radhë në Arabinë Saudite dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme. Prokurorët thanë se Zeqirja Qazimi ishte sponsorizuar nga organizata saudite dhe të tjera nga Gjiri që punojnë në Kosovë.

Shpend Kursani, një hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, një organizatë, tha për BIRN se mënyra se si ata predikojnë pasqyron studimet e tyre në vende si Arabia Saudite.

“Arsimimi dhe zhvillimi fetar i tyre padyshim ka pasur një impakt në mënyrën konservatore të predikimit të tyre dhe të jetës së tyre në përgjithësi. Për pasojë, predikimet e tyre ishin më konservatore sesa ato që do të dëshironin komunitetet zyrtare islamike,” tha ai.

Por Kursani tha se konservatizmi në Islam nuk ishte domosdoshmërish i lidhur me ekstremizmin apo me radikalizmin e dhunshëm.

“Shumë studime nuk tregojnë lidhje të drejtpërdrejta midis konservatizmit dhe ekstremizmit, edhe pse në situata të caktuara një ndjekës mund të mos jetë i kënaqur me predikimet konservatore paqësore dhe mund të kërkojë ata që janë edhe konservatorë edhe të dhunshëm,” tha ai.

Dy imamë të burgosur në Shqipëri i nisën studimet e tyre në Siri dhe Jordani dhe më vonë jetuan në Arabinë Saudite dhe studiuan në Universitetin Islamik në Medinë.

Megjithatë, vetëm Bujar Hysa e mbaroi kursin, ndërsa të dhënat gjyqësore thonë se Genci Balla u përjashtua sepse sjellja e tij konsiderohej problematike.

Raportet e mediave thonë se ky ishte gjithashtu rasti i imamit të burgosur në Shkup, Rexhep Memishi, i cili nuk mundi ta mbaronte kursin e tij në Universitetin Islamik në Arabinë Saudite.

Kaltrina Selimi, një studiuese në çështjet e sigurisë në organizatën Analytica në Shkup, tha për BIRN se lidhjet që këta njerëz krijuan jashtë universiteteve të tyre ishin më të rëndësishme në nxitjen e tyre drejt radikalizimit.

“Shumica e imamëve të arrestuar ishin studentë që braktisën studimet e tyre në disa vende arabe, por më pas ndenjën në ato vende dhe u lidhën në një farë pike me ekstremistët lokal atje,” tha ajo.

Ajo u bëri thirrje vendeve të Ballkanit të zhvillojnë kurse islamike të larta dhe të forcojnë procesin e verifikimit të diplomave që studentë të fesë marrin në vendet e Lindjes së Mesme.

Në ndjekje të ekstremistëve
Dy grupe të mëdha myslimane në Ballkan janë boshnjakët, të cilët jetojnë kryesisht në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi dhe Mal të Zi.

Ndërkohë që imamët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia janë radikalizuar jashtë shtetit, boshnjakët nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina janë radikalizuar në vetë Bosnjë.

Predikuesi më i famshëm dhe famëkeq i islamit radikal në Bosnje, që përfundoi pas hekurave, ishte Bilal Bosniç, i cili në fshatin e tij Gornja Maoca krijoi një qendër jozyrtare rekrutimi ku njerëz nga e gjithë Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi do të vinin për atë që Bosniç e përshkruante si edukim fetar. Më vonë, shumë prej tyre do të përfundonin në Siri dhe Irak.

Edhe pse Bosniç është në burg, ndikimi i tij në internet mbetet i madh, pasi shumica e leksioneve të tij në YouTube që bëjnë thirrje për dhunë janë ende të disponueshme.

Por Komuniteti Islamik në Bosnjë tani po përpiqet të luftojë atë që ai e sheh si një keqpërdorim të mendimit fetar.

Muhamed Jusiç, këshilltari për mediat i Komunitetit Islamik dhe teolog i njohur, tha për BIRN se Komuniteti po përpiqet të promovojë vlerat tradicionale islamike në Bosnje dhe Hercegovinë, si në xhami ashtu edhe në mjediset arsimore, si reagimi më i mirë i mundshëm ndaj radikalizmit.

“I gjithë studimi tregon faktin se format tradicionale të islamit, i cili ka ekzistuar në këtë rajon për qindra vjet, është programi më i mirë parandalues për abuzimin e fesë. Kjo është arsyeja pse ky Komunitet tradicional Islamik është i pari në vijë për sulme nga ekstremistët e dhunshëm,” tha Jusiç.

Megjithatë, ai paralajmëroi se ndërsa ekstremistët e dhunshëm janë të përgatitur mirë në teknologjitë e reja, komuniteti tradicional islamik tashmë po fillon ta kapë ritmin.

Komuniteti tani ka një prani në internet, me 12,000 ndjekës në Facebook. Gazeta e tij Preporod ka 17,000 ndjekës, ndërsa stacioni islamik në radio BIR ka më shumë se 22,000 ndjekës.

Muhamed Veliç, një imam nga Sarajeva me pothuajse 65,000 ndjekës, tha se komuniteti i tij vetëm tani po i eksploron këto mundësi dixhitale.

“Mendoj se komunikimi në internet me njerëzit që vijnë në xhaminë time është një mjet shumë më efikas. Megjithatë, fatkeqësisht, shumë nuk e përdorin këtë mjet. Shumë imamë janë pasivë dhe nuk e dinë se shumica e komunikimit në ditët e sotme bëhet në internet dhe është shumë i rëndësishëm,” tha Veliç për BIRN.

“Njoh disa imamë që përdorin mjetet në internet dhe komunikojnë. Ata e bëjnë këtë në një mënyrë të shkëlqyer, por, fatkeqësisht, ata janë pak. Unë përpiqem të inkurajoj disa nga kolegët e mi të përdorin më shumë mënyra të komunikimit në internet,” shtoi ai.

Samir Kadribasiç, një imam nga qyteti malazez i Pljevljës, tha se Komuniteti Islamik i Malit të Zi vendosi të përdorë rrjetet sociale për të ndikuar tek të rinjtë në vend që po devijohen nga rruga e drejtë.

“Shumë të rinj e kanë keqinterpretuar fenë. Ata lexuan dhe dëgjuan gjëra në internet, vendosën të shkonin në luftë, morën familjet e tyre, i morën me vete drejt diçkaje të panjohur, për të luftuar në anën e grupeve ekstremiste dhe mbyllën jetët e tyre në shkretëtirat e Siria dhe Iraku,” tha Kadribasiç për BIRN.

Kadribasiç tha se ai po përpiqet të përdorë mediat sociale për të kundërshtuar ndikimet ekstreme.
“Po përpiqem ta theksoj këtë problem, të shpreh pikëpamjet e mia, të cilat do të ndihmojnë në identifikimin e grupeve më radikale dhe ekstremiste. Misioni i imamëve në shoqërinë e sotme është të komunikojnë çdo ditë me besimtarët e tyre dhe të tregojë këtë anomali (të ekstremizmit),” tha ai.

Ivan Ejub Kostiç, një ekspert fetar islamik dhe drejtor i OJQ-së Qendrës Ballkanike për Lindjen e Mesme, tha për BIRN se rrjetet sociale janë “një fushë beteje kyçe” për zemrat dhe mendjet e besimtarëve.

Kostiç paralajmëroi se ndjekësit e radikalëve po ndajnë dhe përhapin mesazhet e liderëve të tyre “si një ushtri”.

“Si do ta arrije një djalosh të ri në një fshat? Sot duhen vetëm 30 sekonda me anë të një kompjuteri dhe je direkt në apartamentin e tij. Ai ulet në kompjuter dhe krejt papritur bombardohet me njoftime dhe kështu zhytet në atë botë,” tha ai.

Myftiu nga Beogradi Jusufspahiç ra dakord: “Fatkeqësisht, kushdo që dëshiron ta manipulojë këtë hapësirë në internet ka një mundësi të mirë,” tha ai.

Por imami nga Sarajeva Veliç ofroi një këshillë për imamët në rajon që po përpiqen të kundërshtojnë ndikimet radikale: shpërndani mesazhe pozitive që paraqesin një këndvështrim më shpresëdhënës dhe dashamirës mbi fenë dhe vetë jetën.

“Unë u kujtoj vazhdimisht ndjekësve të mi se kush jemi ne. Ne jemi krijime të Zotit dhe skllevërit e tij. U kujtoj atyre Krijuesin tonë. U them të jenë njerëz të mirë dhe fisnikë. U flas për gjëra të të këndshme dhe ofroj shpresë. U tregoj atyre histori të bukura dhe u flas për energjinë që marr nga jeta ime dhe besimi,” tha Veliç. /BIRN/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb