TIRANË- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka dalë sot para mediave nga selia e kësaj partie për të shprehur mbështetjen për banorët e fshatit Verri në Fier, të cilët po protestojnë kundër ndërtimit të impiantit të djegies së plehrave.
Kryemadhi iu ka drejtuar të gjithë faktorëve dhe aktorëve thirrje të heqin dorë nga ndërtimi i këtij impianti, ndërsa iu bëri thirrje anëtarëve të LSI-së t’i bashkohen banorëve.
DEKLARATA E KRYEMADHIT
Në qytetin e Fierit banorët janë duke u dhunuar barbarisht nga Policia e Shtetit për shkak sepse kërkojnë që në tokat e tyre të mos helmohen, të mos helmohen fëmijë e tyre dhe të mos sëmuren, bagëtitë e tyre të mos ngordhin nga helmet, dhe akoma më shumë të mos detyrohen të emigrojnë dhe të largohen nga shtëpitë e tyre. Prej disa muajsh, një kompani e zotëruar nga militantë të Partisë Socialiste ka përfituar në mënyrë të dyshimtë 3 koncensione për të ndërtuar 3 impiante djegiesh. Në Fier ky impiant është refuzuar nga banorët, në Mbyet, edhe në Mbrostar, dhe së fundmi edhe në Veri.
Banorët kanë të drejtë sepse ky projekt nuk ka lindur si nevojë e përpunimit të plehrave. Është e qartë se incineratori nuk na duhet në Qarkun e Fierit. Ajo që na duhet është një politikë e mirë për riciklimin dhe ndarjen në burim dhe për pastrimin e territorit. Incinerimi nuk ka vend në Shqipëri, përveçse kur kërkohen rast për të përpunuar plehrat që vijnë nga vendet e tjera të Bashkimit Europian. Dhe nëse ky është qëllimi i Edi Ramës, ky nuk është qëllimi i shqiptarëve. Ndaj sot beteja në Vërri nuk është thjesht e atyre banorëve, por e gjithë shqiptarëve.
Është beteja kundër mafies së plehrave, që është instaluar në Shqipëri. I bej thirrje çdo banori të Vërrise të rezistojë dhe ndërkohë, i bëj thirrje çdo militanti dhe simpatizanti të LSI në Fier dhe kudo, të shkojnë në ndihmë të banorëve ashtu siç do të shkojnë edhe deputetët tanë. I bëj thirrje medias shqiptare që të jetë prezent aty në këto momente dhune, që po ndodh atje. I bëj thirrje të gjithë atyre pronarëve, apo investitorëve apo dhe grupeve të caktuara të interesit, të cilët duan të ndërtojnë këto incineratorë, të tërhiqen sepse dita kur do të përballen përballë ligjit do të jetë shumë afër.
I bëj thirrje dhe Edi Ramës që të heq dorë nga plehrat, sepse do të përfundojë në kazanin e plehrave edhe ai vetë, por i pariciklueshëm më. I bëj thirrje çdo shqiptari që sot të solidarizohet me Verrinë. Ky impiant nuk mund të ndërtohet aty, për shkak sepse ato janë toka buke, dhe ne mezi po gjejmë dhe po hapim toka të reja buke për shqiptarët. Nëse janë të vërteta fjalët që kryetari i bashkisë është pronari I tokës ku do të ndërtohet impianti i plehrave, atëherë kjo nuk është vetëm një vepër korruptive, por është një vepër kriminale e cila është e shumëfishtë.
I kërkoj Edi Ramës që të mbaj premtimin që u ka dhënë banorëve të Mbrostarit në zgjedhjet e 25 qershorit të 2017-ës, ku u ka thënë që impianti i plehrave nuk do të ndërtohet. Ja rikujtoj edhe njëherë këtë gjë. Po kështu I kërkoj Policisë dhe kryetarit të Bashkisë të tërhiqen nga terrori që u ushtrojnë kryepleqve për tu marrë firmat në mënyrë të tillë që të bëj të mundur ndërtimin e një impianti plehrash që është i paligjshëm. Mund të frikësojnë dhe mund të marrin katër firma, por nuk mund të kthejnë dot mbrapsht revoltën e qytetarëve.
Po kështu i bëj thirrje edhe njëherë kryeministrit Rama të tërhiqet nga ndërtimi i këtij impianti plehrash në Verri, sepse do të ketë shumë shpejt pastaj teatrin e radhës siç ishte sot një teatër i shëmtuar ku u tall me naftëtarët dhe përsëri nuk u mori asgjë përsipër. Prandaj i ftoj të gjithë qytetarët në datën 27 Janar të jenë në protestë kundër mafies së plehrave, kundër vjedhjes së naftëtarëve, kundër pabesisë që ushtrohet ndaj qytetarëve shqiptarë, dhe të protestojnë atje të gjithë shqiptarët pa dallim bindjesh politike, pa flamuj politik, por me flamurin e shpresës për ti kthyer ata qindëra dhe mijëra të rinj shqiptarë, që janë larguar nga Shqipëria për shkak të qeverisjes jashtëzakonisht të keqe të Edi Ramës.
(m.k/BalkanWeb)