I pranishëm në inaugurimin e Teatrit të Kukullave, ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato tha se, projekti i Bashkimit Evropian për kulturën (EU4Culture) është nga më të rëndësishmit për BE, pasi jo vetëm restaurohen godina, por këto restaurime sjellin të mira për qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Këtu bëhet fjalë më shumë se vetëm për Teatrin e Kukullave, por për një ndërtesë me histori dhe ne restaurojmë monumente”, tha Gonzato.
Për ambasadorin e BE, procesi i integrimit s’ka të bëjë vetëm me rregullore dhe me ekonominë, por me shndërrimin e gjithë shoqërisë, me të drejtat e barabarta të cilat duhet t’i gëzojnë të gjithë.
Gonzato ftoi shqiptarët të mos humbasin identitetin. Edhe pse BE, shpesh akuzohet se asimilon kultura, apo iu tregon të gjithëve se si duhet të jenë, për ambasadorin, forca e BE qëndron tek larmia.
“Ne sjellim talente, kultura e histori të ndryshme. Jemi jo vetëm të bashkuar por edhe të larmishëm. Të gjitha këto ndryshime që kemi vijnë nën një emërues të përbashkët: vlerat e Bashkimit Evropian”, tha ambasadori Silvio Gonzato.