Fatbardh Kadilli në rubrikën “Opinion” në News24 inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë e konsideroi si një festë të politikanëve, një festë të komunitetit, por festa e vërtetë është ajo e besimtarëve.
“Shoqëria shqiptare nuk ka dashur të përfshihet në këtë debatin e brendshëm të një komuniteti fetar. E kam të vështirë të ndaj se çfarë nënkupton termi Gulenist apo Erdoganist, pasi vetë komuniteti ka vendosur që këtë debatin ta mbajë brenda tij.
Nuk është mirë dhe unë uroj që sa më shpejt lidershipi i KMSH të zgjidhë atë debatin e brendshëm për një çështje që na është importuar nga një vend tjetër, pra nuk është një debat që ka lidhje me ne këtu, apo me besimtarët shqiptarë këtu”, tha Kadilli. Në këtë kuadër ai tha se uronte që lidershipi i komuniteteve fetare duhet të mbajë larg çdo ndikimi jo fetar komunitetet që drejtojnë, pra të mos konsiderojnë apo përfshijnë si problematika çështje që nuk kanë lidhje me ato fetare.