Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën hapëse në inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë. Në ceremoninë e zhvilluar Rama theksoi rëndësinë e xhamisë si një simbol të besimit universale dhe trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar.
Në fjalimin e tij, Rama u drejtua me mirënjohje Presidentit të Turqisë Erdogan dhe të pranishmëve, duke shprehur se ky moment shënon një arritje të veçantë për komunitetin. “Ja ku erdhi dita e çeljes së këtij tempulli të adhurimit të krijuesit, shumë i pritur nga besimtarët për këto vite,” tha Rama, duke shtuar se ky vend lutjeje është një trashëgimi e një populli të tërë.
Kryeministri rikujtoi se ky projekt filloi më 14 nëntor 2014, kur e quajti si “çlirimin e Namazgjasë”, duke theksuar vullnetin e mirë të besimtarëve nga Turqia për të realizuar këtë iniciativë.
Ai gjithashtu përmendi sfidat e para, kur trualli i Namazgjasë ishte shndërruar në një shesh pazari, duke theksuar se ndërtimi i kësaj xhamie ishte një detyrë e rëndësishme për të rikthyer hapësirën e lutjeve dhe shpresës.
Fjalimi i Ramës:
Fort i nderuar dhe shumë i shtrenjti miku im, presidenti Erdoğan!
Shumë e nderuara zonja Erdoğan!
Fort të nderuar klerikë, të dashur miq dhe fort të respektuar besimtarë!
Ja ku erdhi dita e çeljes së këtij tempulli të adhurimit të krijuesit të botëve, kaq i shumëpritur nga komuniteti mysliman në rrjedhën e viteve për aq shumë arsye.
Kjo faltore që frymon nga një besim universal, xhamia e madhe e Namazgjasë është tanimë trashëgimia e një populli të tërë, e cila mëshiron atë çka Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të ka thënë për veten: “unë jam lutja e Ibrahimit, sihariqi i saj dhe ëndrra e nënës time”.
Ky sihariq i veçantë i përurimit të saj, frut i lutjeve dhe përpjekjeve të bashkëkombëseve tanë të besimit islam dhe i dashamirësisë së vëllezërve të tyre bashkëbesimtarë nga Turqia të cilët i falënderoj me mirënjohje më çon pas në 14 nëntor të vitit 2014, 10 vite më parë kur fillesën e kësaj pune të bekuar në shërbim të komunitetit mysliman shqiptar e pata quajtur si çlirimi i Namazgjasë.
Nuk e harroj dot se sa vullnet i mirë u desh për ta pastruar truallin e Namazgjasë të kthyer në një shesh pazari të imponuar mbi hapësirën e lutjeve, shpresës dhe nevojës së besimtarëve myslimanë për ta pasur atë dhe ata tempullin e tyre qendror në kryeqytetin e Shqipërisë, njësoj si bashkëkombësit dhe vëllezërit e tyre te besimit katolik, ortodoks apo bektashinj.
Ka qenë për mua qysh në krye të herës çështje nderi dhe peshë e detyrës që xhamia e madhe të hynte e pastër në vendin tonë të besimeve të ndryshme si një objekt i gjatë munguar kulti në këtë vend ku tempujt mishërojnë dhe dëshmojnë lirinë dhe harmoninë fetare ndërsa njerëzit bashkëjetojnë siç e patën thënë për koincidencë atë vit Papa Francesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri, “jo në harmoni, por në vëllazëri fetare”.
Dhe ja sot pas plot 10 vitesh nga ajo pikënisje xhamia e madhe hyn në sofrën e kësaj vëllazërie kaq mirëfilli shqiptare si ilustrim i shumëçkaje të lidhur me besimin dhe ndërto dhe të një ajeti prej 6 sureve të para të Kuranit që me mjeshtërinë prej dijetari dhe me dashurinë prej atdhetari të pa epur na i dhuroi në gjuhën tonë një hafiz i madh dhe një ndër artizanet e pavarësisë sonë kombëtaret tiranasi Haxhi Hafiz Ibrahim Dalliu, autori i ajkës së kuptimeve të Kuran Kerimit.
Kurani është udhëheqës edhe për ata njerëz që besojnë në atë që të është zbritur ty o Muhamed dhe në atë që iu është dhënë duke zbritur pejgamberëve që kanë ardhur para teje. Ata dhe ahiretin e besojnë pa dyshim.
Në lidhje me këtë ajet të lartë, dijetari ynë shpjegon që ashtu siç e kanë thënë Fahri Raziu dhe Bejzaviu, Xhibrili i konsideron librat e zbritur plotësisht fjalë të Zotit që janë pa zë, pa gërma pastaj zbret prej qielli dhe ua bie pejgamberëve.
Mu kështu dhe kjo xhami i jep domethënien e plotë dhe kuptimplotë katrorit të 4 faltoreve të kryeqytetit duke e përmbyllur skicën e këtij flamuri shpirtëror të më në fund shpalosur të identitetit tonë të mbështjellë brenda tij.
Flamur që lind Shën Konstandinin, pajton islamin dhe krishterimin, shpall mes feve vëllazërimin, flamur bujar për njerëzimin.
Si çdo faltore tjetër e këtij vendi ku gjen paqe çdo shqiptar që i falet Zotit në besimin e vet, kjo xhami e madhe e Namazgjasë është tani një vend i shenjtë.
E këtij vendi nuk mund t’i këndohet sot më mirë sesa në shqipen e Haxhi Hafiz Ibrahim Dalliut, “i dashuri im kujtoje edhe atë kohë kur ne me madhërinë tonë e bëmë Qaben vend shpërblimi dhe kthimi për njerëzit e bëmë dhe vend të sigurtë. Ju që vizitoni Qaben bëjeni mekamin e Ibrahimit vend për tu falur. Ne kishim urdhëruar Ibrahimin dhe Ismailin ta pastronin shtëpinë time për ata që e vizitojnë, për ata që rrinë aty dhe për ata që bëjnë ruku dhe sexhde”.
E po qoftë me jetë e përgjithëjetë kjo foltore, shëmbëlltyrë e vizionit të Qabes, një shtëpi e shpërblimit dhe e kthimit, vend të sigurt për të gjithë fëmijët e Ibrahimit.
Le të hyjmë sot këtu me këmbën e mbarë dhe fjalën në Ungjill të Isait – paqja e Zotit qoftë mbi të, – “Në shtëpinë e Atit ka banesa të shumta”. Le të mbetet në kohë të kohëve ky i xhamisë së madhe të Namazgjasë, një sihariq gëzimi i përbashkët, ashtu siç qe për të madhin Pejgamber kur Zoti e thërriti në emër dhe i tha, “ Ne e thirrëm atë o Ibrahim, ti tashmë e zbatove ëndrrën, ne kështu i shpërblejmë të mirët, vërtetët kjo ishte sprovë e qartë”. Selam, Shpëtim e paqe pastë Ibrahimi!
Faleminderit dhe mirënjohje zoti President i Republikës së Turqisë. Miku im i gjithnjë mirëseardhur në Shqipëri në këtë shtëpinë tonë të vogël ku ka banesa të shumta, për përkushtimin tënd vëllazëror, për t’iu përgjigjur lutjeve të Komunitetit Mysliman Shqiptar duke u bërë zëri i thirrjes së tyre për Komunitetin Mysliman Turk i cili bujarisht dhe vëllazërisht i dha bashkësisë myslimanë të shqiptareve mjetet e nevojshme për ndërtimin e kësaj xhamie të madhe, e cila ndër breza do ta dëshmojë gjestin tuaj dhe do tu flasë të gjithëve për lidhjen e pazgjidhshme mes dy popujve dhe vendeve tona.
Qoftë e mbarë edhe këmba e kryemyftiut të Tiranës, Bilal Teqja i cili prej sot do të jetë krye kujdestari i këtij tempulli dhe u priftë e mbara në familjet e tyre, të gjithë besimtarëve mysliman të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe na ndihmoftë në rrugën tonë pa kthim, e as ndalim drejt majës që duam dhe do ta ngjisim patjetër flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, në një Shqipëri të denjë dhe të mirë për të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, krahine e ideje.