POGRADEC– Përfundojnë punimet për aksin Lin-Pogradec. Gjatë përurimit të këtij aksi me një gjatësi prej 16.5 kilometra, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, tha se pastrimi i vijës së liqenit nga ndërtimet pa leje ka sjellë një transformim e zonës.

“Po të kthejmë kokën përpara pak vitesh, kjo pamje e liqenit, pra mbi 16 kilometra ka qenë totalisht tjetër. Një rrugë e ngushtë, e shkatërruar dhe një liqen tërësisht i zënë nga ndërtimet pa leje. Sot që flasim kemi një breg të liqenit tërësisht të transformuar, një nga veprat më të bukura”, tha ministri Gjiknuri.

Rruga e kategorisë C1, është i pajisur me të gjitha elementët e sigurisë rrugore, dekorativë dhe ndriçim.

“Rruga është me të gjitha elementët e sigurisë rrugore, elementët dekorativë, ndriçim dhe një trotuar që është një projekt goxha i veçantë për shkak të liqenit si një pasuri që ne e kemi. Trotuari fillon në Lin dhe përfundon në Pogradec. Është një rrugë që i ka të gjitha parametrat e nevojshëm”, tha drejtori i ARRSH, Afrim Qendro.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për turistët dhe banorët e zonës, ky investim përveçse ofron mundësi shëtitje gjatë orëve të pasdites dhe darkës, krijon edhe më shumë siguri për qarkullimin e tyre. Nëse më parë banorët ndiheshin të frikësuar për të qarkulluar në orët e vona të darkës për shkak të errësirës, ata tashmë mund të ecin në trotuarin e ndërtuar deri në Pogradec.

“Më parë këtu ishte baltë dhe errësirë, tani është një transformim. Goxha investim. Tashmë rritet edhe vlera e pronës”, shprehet një banor i zonës.

Pas këtij investimi, punimet do të shtrihen tek tuneli panoramik në hyrje të qytetit të Pogradecit. Në këtë pikë projekt kanë përfunduar segmentet rrugore ndërmjet gjysmë-tuneleve, si dhe 85% e punimeve ndërtuese të strukturave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb