Po shqyrtohet sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Gjykata pranoi kërkesën e 8 të pandehurve për zhvillimin e procesit me procedurën e gjykimi të shkurtuar.
1) Lefter Koka
2) Bledar Karoli
3) Erjon Murataj
4) Taulant Tusha
5) Namik Simixhiu
6) Valbona Ballgjini
7) Sidita Kopliku
8) Jetmir Llapaj
Ndërsa të pandehurit e tjerë Etleva Kondi, Alba Thoma, Pëllumb Abeshi dhe Silena Tola kërkuan zhvillimin e procesit me procedurën e gjykimit të zakonshëm dhe ndarjen e çështjes dhe dërgimin e akteve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me juridiksion të përgjithshëm.
SPAK kundërshton ndarjen e çështjes dhe dërgimin e akteve në një gjykatë të juridiksionit të zakonshëm. Gjykata vendos veçimin e çështjes për shkak se këta të pandehur kanë kërkuar që të gjykohen me procedurën e gjykimi të zakonshëm.
12 të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” e kryer në bashkëpunim, sa i takon procedurës për dhënien e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publik kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentet për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
(BalkanWeb)