Në emisionin Vetting në News24 është trajtuar çështja e inceneratorit të Fierit, ndërsa hidhet dritë mbi atë që ka ndodhur me aferën e hetuar nga SPAK që ka çuar në burg ish-ministrin Lefter Koka, ish-deputetin Alqi Bllako, apo edhe zyrtarë të tjerë që kanë rezultuar si të përfshirë nga hetimet e SPAK. Inceneratori është ngritur në një tokë ‘arë’, e cila në letra u etiketua si ‘tokë truall’. Kjo prodhoi përplasjen ligjore, ku në njërën anë nuk lejohet ndërtimi në tokat arë dhe në anën tjetër është firmosur leja e ndërtimit.
Pse ndodh kjo përplasje?
A janë falsifikuar dokumentet në hipotekë dhe është bërë konvertimi pa vendim qeverie, apo ekziston diku një vendim qeverie jo-publik, por në DAMT nuk janë fshirë ende të dhënat?
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), në materialet e saj hetimore ka përmendur rolin e Armando Subashit në shpronësimin abuziv të tokës, ku u caktua të ndërtohej impianti i përpunimit të mbetjeve në qytet. Duke mbajtur në konsideratë se praktika e shpronësimit të tokës së inceneratorit është një prej elementëve që po mban pas hekurave ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe gjithashtu ish-deputetin socialist, por jo Subashin.
Por, siç lexohet në dosjen hetimore, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, megjithëse ka qenë në dijeni të këtij abuzimi, sërish ka vijuar të shlyejë këstet e shpronësimit të tokës, duke u shëndërruar në zyrtarin ekzekutor të shumës abuzive, e cila i shkaktoi shtetit një dëm në vlerë rreth 150 mijë euro.
Eksperti i mjedisit, Lavdosh Ferruni, ngre alarmin për dëmin që po i bëhet tokës bujqësore dhe mjedisit. “Është përdorur kjo tokë bujqësore në mënyrë ttë jashtëligjshme sepse nuk mund të ndërtohet një vepër e kësaj kategorie që ka dhe ndotje në hapsirë të gjërë në një tokë bujqësore”, shprehet ai.
Gazetarët e emisionit “Vetting kanë udhëtuar drejt Fierit në fshatin Veri ku është ndërtuar inceneratori. Ajo që vërehej ishte hapësira e gjerë e tokave të mbjella, por sipas ekspertëve ka risk për kontaminim.
Më tej eksperti sqaron se nuk ka incenerator por vetëm djegie me emetim të toksinave dhe 10 helmet më të fuqishme janë dioksinat dhe furanet që dalin nga procesi i djegies.
Fermeri që ka tokën pranë impiantit nuk pranoi të flasë para kamerave të emisionit Vetting, por ai sqaron gazetarët se mban familjen dhe siguron jetesën me blegtori. Sipas tij, inceneratori nuk duhej të ishte ndërtuar në Myzeqe pasi ndotja është evidente.
“Ka erë të rëndë me thënë të drejtën, nuk duhej një incenerator të ndërtohej në Myzeqe, duhej me ndonjë grykë jo këtu. Unë kam mbjellë tokën, kam lopë me këto ushqehem”, u shpreh fermeri
Por një tjetër problem, sipas fermerit, është edhe transporti i mbetjeve me kamiona të zbuluar. Tejmbushja e tyre bën që qeset të shpërndahen në tokat anash rrugës që të çon te inceneratori duke përbërë rrezik për shëndetin dhe përhapjen e infeksioneve.
Një punonjësi i Bashkisë Fier, tregon se i inceneratori është jashtë funksionit. “Inceneratori nuk punon, e ka sekuestruar SPAK”, u shpreh punonjësi.