Histori jashtë çdo imagjinate që ka ndodhur në kufijtë shqiptarë por edhe jashtë tyre. Martesë në moshë të re, dhunë, braktisje nga nëna, divorc, incest, abuzim seksual e pedofili, janë fjalët kyçe të kësaj historie të vështirë për t’u treguar. Një nënë e dëshpëruar i është drejtuar emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 pasi prej kohësh nuk sheh vajzën e saj. Gruaja, e cila ka folur sot ‘live’ në emision por pa u identifikuar për të mbrojtur fëmijët e saj ka rrëfyer jetën e saj të vështirë.

Në moshën 17-vjeçare ajo u martua në një qytet në Veri të Shqipërisë por martesa pas 7 vitesh përfundoi në divorc në vitin 2007. Nga kjo martesë erdhën në jetë dy fëmijë një djalë dhe një vajzë të cilët aktualisht janë njëri 15 vjeç dhe vajza 11 vjeç.

Gruaja rrëfen se fëmijët jetuan me ish-bashkëshortin, gjykata ia la në kujdestari fëmijët ish-burrit pasi ajo u largua nga shtëpia, pas debateve të shumta me vjehrrën dhe ish-bashkëshortin, i cili sipas gruas ka ushtruar edhe dhunë. Gruaja rrëfen se më pas iku tek prindërit e saj dhe në një periudhë tjetër u largua në Zvicër, ku ndërtoi një tjetër familje.

“Jam martuar 17 vjeç me mblesëri. Doja apo nuk doja unë u martova. Burrin që ma dhanë me mblesëri e dashurova, e doja shumë. Kalonim bukur me njeri-tjetrin kur mbeta shtatzënë me djalin e parë filluan problemet nga ana e vjehrrës. E fuste burrin të më keqtrajtonte. Nga keqtrajtimet u detyrova të largohesha pas7 vitesh bashkë. E kam lënë djalin 2 vjeç e gjysmë. Ika tek familja ime dhe aty e kuptova që isha shtatzënë me vajzën. E linda vajzën aty. Pas 10 ditësh që linda vajzën e çuam bashkë me familjen tek babai i vajzës sepse për momentin nuk kishim kushte të mira. Domethënë familja ime nuk kishte kushte për të më ndihmuar. Nuk kisha mundësi në atë kohë të hapja gjyq. Isha e stresuar sepse kisha kaluar jo mirë gjatë shtatzënisë. Divorci u bë pa praninë time, gjykata ia la fëmijët pa dijeninë time të atit. Unë kisha të drejtë t’i shikoja fëmijët çdo fund muaji dhe dy javë në verë mund t’i merrja për pushime.
Por nuk më linin të takoja fëmijët. Djali tentonte të vinte të më përqafonte, nuk e linin. Unë u largova që aty sepse e shihja se si e trajtonin djalin kur vinte të më takonte”, tregoi gruaja në studio.

Më pas ajo u largua drejt Zvicrës për të punuar dhe ndërtuar një të ardhme ku u njoh me një shtetas zviceran, me të cilin lindi dhe një djalë, i treti fëmijë për të.
“Në Zvicër shkova në vitin 2011 ku u njoha me një njeri që e dija për një njeri të mirë”, tha gruaja.

Por në vitin 2015 gruaja tregon se filloi të kontaktonte nëpërmjet rrjeteve sociale me kushërinjtë e ish-bashkëshortit. Gruaja rrëfen se ata i shkruanin se fëmijët e saj ishin në gjendje të rënde, nuk shkolloheshin, dhunoheshin, e përdoreshin për të ruajtur bagëtitë.

“Më kanë thënë që fëmijët nuk shkollohen, keqtrajtohen dhe çohen për të ruajtur bagëtitë. Më e rënda, ajo që më çmendi ishte kur më thanë se fëmijët e mi kryejnë marrëdhënie seksuale bashkë”, tregoi ajo.

Pikërisht kjo ishte dhe arsyeja që filloi procedurat për të marrë në kujdestari fëmijët. Në 2016 vendosi të bëjë gjyq dhe të merrte vajzën, 9 vjeç asokohë pasi kishte një problem në qiellzë që e pengonte për të folur dhe ish-bashkëshorti pranoi që ajo ta merrte pasi vetë nuk kishte mundësi.

Pasi mori vajzën në Zvicër, mendoi se gjërat por shkonin mirë, por edhe këtu telashet s’kishin të sosur. Vajza një ditë i rrëfeu se bashkëshorti zvicerian kishte abuzuar me të.
“Vajza i bëri zemër në makinë, e pashë nga pasqyra. I thashë pse i bën zemër pas krahëve, e ke familjar dhe mund ta përqafosh dhe në sytë e mi. Pastaj vajza më tha se ti nuk e di se ne kemi bërë dashuri. Më tregoi ku e kur, sa herë. Katër-pesë ditë nuk shkova në punë, dukë parë situatën që të mos bëja kot denoncim. Vajza vazhdonte të më thoshte të njëjtat gjëra”, tregoi gruaja.

Atëherë ajo nisi një sërë procesesh gjyqësore por bashkëshorti i saj doli i pafajshëm. Atëherë ajo shkoi drejt divorcit por vajzën e mori shteti zviceran dhe nuk e lë ta takojë më.

“Kur bëra denoncimin, zvicerani shkoi për një javë në burg. Pasi ai doli, e mori shteti zviceran vajzën. Më thanë për 10 ditë, se duam ta kemi nën mbikëqyrje, sepse ka nevojë për psikolog e trajtim. E morën vajzën për 10 ditë por nuk ma kthyen. Unë nuk u ktheva tek burri zviceran, shkova në qendër grash me djalin e vogël. Flisja me vajzën në jetimore, ajo qante, më thoshte më merr, më vjen për t’u çmendur. Vajza nuk më kthehet”, tregoi gruaja.

Ajo rrëfen se tani i thonë që vajza nuk është në Zvicër por e kanë kthyer në Shqipëri. Gruaja kërkon të dijë ku është vajza dhe nga studio e Neës24 i ka dërguar një mesazh të bijës.
“Dua t’i them vajzës se mami e do shumë. Mos të dëgjojë të tjerët se çfarë i thonë. Të kthehet tek unë, sepse e ka derën e hapur. Ata i thonë se mamaja është çmendur, nuk të do, unë i them se të dua shumë e të vijë tek unë”, apeloi gruaja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb