PODGORICE- Persona të paidentifikuar kanë djegur gjatë natës flamurin e Shqipërisë dhe Kosovës në kryeqytetin malazez, Podgoricë, pranë ndërtesës së “Capital Plaza” ku janë edhe ambasadat e këtyre shteteve siç transmeton televizioni shtetëror “RTCG”.

Për ngjarjen, ka reaguar edhe ministria e Jashtme e Malit të Zi, duke shprehur keqardhjen për incidentin.

“Ministria e Jashtme shpreh keqardhjen dhe dënon fuqimisht aktin e vandalizmit dhe djegies së flamurit të Shqipërisë dhe Kosovës para ndërtesave të ambasadave”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme malazeze. Kjo ministri thekson se është në komunikim të vazhdueshëm me ambasadat.

“Autoritetet kompetente duhet të marrin të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e rastit dhe identifikimin e autorëve”, thuhet më tej.

Ministrja e Jashtme e Malit të Zi thekson se është e bindur që raste të tilla të izoluara nuk mund të ndikojnë në marrëdhëniet e mira dhe miqësore midis vendeve.

Ndërkohë, Aleanca Qytetare (GA) u bëri thirrje autoriteteve për të kryer një hetim të menjëhershëm, dhe të ndjekë penalisht autorët e krimit. Kjo Aleancë thotë se qëndrimet e qeverisë malazeze bëhen shkak për incidente të tilla, për shkak edhe të mos respektimit të plotë të pakicave etnike atje.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: