Kryeredaktori i PanoramaSport Jetmir Halilaj, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e “Open” në News24 ka folur në lidhje me vdekjen e futbollistit të Egnatias, Raphael Dwamena pas një ataku kardiak gjatë sfidës së fundit kundër Partizanit.
Halilaj u shpreh se futbollisti kishte injoruar këshillat e mjekëve më herët dhe ka gjetur terrenin për të luajtur profesionalisht, ashtu si edhe në Shqipëri.
Ai shtoi se federata nuk mundet të regjistrojë një sportist nëse ky i fundit nuk dorëzon testet mjekësore të kërkuara.
Futbollisti ka injoruar këshillat e mjekëve dhe ka gjetur terrenin për të luajtur profesionalisht. Shqipëria nuk ka një ligj të qartë siç e ka Italia. Italia thotë se nëse ke probleme kardiake nuk mund të luash në asnjë mënyrë. Kjo ndodhi me rastin e Eriksen, i cili sot nuk luan dot në Itali.
Federata nuk e regjistron dot një sportist nëse ai nuk ka dorëzuar testet mjekësore, unë besoj se Dwamena i ka dorëzuar. Nuk di raste që sportistët të jenë regjistruar pa dorëzuar testet mjekësore.