Një ish-ministër i qeverisë serbe raportohet se është mes 11 personave të arrestuar në Serbi të enjten për shembjen vdekjeprurëse të një stacioni treni në fillim të këtij muaji që vrau 15 persona dhe plagosi rëndë dy të tjerë.

Të dyshuarit, të cilët nuk janë identifikuar zyrtarisht, përballen me akuza për kryerjen e veprave penale kundër sigurisë publike, shkaktimin e rrezikut publik dhe punët e parregullta ndërtimore, thanë prokurorët në qytetin verior të Novi Sadit, ku ndodhi tragjedia.

Ndërkohë, mediat lokale raportuan se Goran Vesiç, i cili dha dorëheqjen si ministër i ndërtimit i Serbisë pas kolapsit të 1 nëntorit, dhe Jelena Tanaskovic, e cila këtë javë dha dorëheqjen si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së kompanisë shtetërore të hekurudhave, ishin në mesin e të arrestuarve.

Vesiç tha të enjten në një postim në Facebook se ai nuk ishte arrestuar por i ishte përgjigjur vullnetarisht policisë në Novi Sad. Tanaskovic nuk ka komentuar.

Arrestimet pasojnë një valë protestash duke kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë dhe të ndëshkohen. Shumë në Serbi besojnë se shembja e tendës mbi hyrjen e stacionit të trenit rezultoi nga korrupsioni dhe mungesa e transparencës, e cila çoi në punë nën standarde në rinovimin e ndërtesës së stacionit, të ndërmarrë si pjesë e një partneriteti serbo-kinez.

Ligjvënësit e opozitës dhe protestuesit e tjerë të mërkurën u përleshën me policinë jashtë ndërtesës së gjykatës në Novi Sad për të tretën ditë radhazi, duke kërkuar padi për tragjedinë dhe lirimin nga paraburgimi të aktivistëve të burgosur gjatë mitingjeve të mëparshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb