Vilson Cakovic dhe Dorde Dordevic nuk do të jenë më pjesë e ekipit të Apolonisë. Portieri dhe mesfushori serb, janë larguar nga klubi fierak ende pa u mbyllur sezoni dhe arsyeja është incidenti që ndodhi me flamurin kuqezi në stadiumin “Loni Papuciu” gjatë sfidës me Tiranën.

Burime pranë Apolonisë zbulojnë se Vilson Cakovic ka kërkuar prishjen me konsensus të kontratës, pas pezullimit të tij për një kohë të pacaktuar nga ana e klubit dhe të njëjtin veprim ka bërë edhe mesfushori Dordevic, duke u justifikuar me faktin se të dy nuk ndiheshin mirë në një ambient ku do të ishin në qendër të kritikave nga ana e tifozëve.

Kërkesa e tyre është pranuar nga drejtuesit e klubit fierak, që u kanë dhënë dokumentacionin për të gjetur një tjetër destinacion. Ndërkohë do të vijojë të jetë lojtar i Apolonisë Marko Rajkovic i cili ndryshe nga bashkëkombësit e tij, nuk sheh arsye për t’u larguar.

 

(e.shkambi/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb