BULQIZE- Vëllai i kandidatit të djathtë për Kryetar Bashkie Bulqizë është proceduar penalisht lidhur me ngjarjen e ndodhur dje në këtë qytet. Policia dhënë detaje për ngjarjen, duke sqaruar se gjatë transportimit të kutive të votimit të QV së nr. 1067 Gjuras, një grup simpatizantësh të subjektit PD bllokuan automjetin me të cilin po transportoheshin materialet zgjedhore të kësaj qendre.

“Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër, sot, i janë referuar Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Dibër, materialet procedurale, për veprat penale “Pengim i qarkullimit të mjeteve”, ”Shkatërrimi i pronës”, kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasit:
– Edison Ramadan Balla, vjeç 33, banues në Tiranë, vëllai i kandidatit për Kryetar Bashkie Bulqizë-subjekti PD).
Ky shtetas akuzohet se më datë 21.06.2015, rreth orës 21:30, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, në rrugën automobilistike Shupenzë-Bulqizë, kanë penguar qarkullimin e lirë të automjetit TR6791T, që po transportonte materialet zgjedhore të qendrës së votimit nr.1067, të fshatit Gjuras, komuna Shupenzë, me të cilin po udhëtonin edhe komisionerët e kësaj qendre votimi, së bashku me punonjësin e policisë, fillimisht në afërsi të Urës së Serbinit në fshatin Homesh dhe më pas edhe në fshatin Vajkal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ky shtetas dyshohet se ka organizuar mbi 200 persona të tjerë mbështetës të Kandidatit për Kryetar Bashkie të subjektit PD për Bulqizën, për pengimin e qarkullimit të lirë të mjetit të sipërpërmendur, të cilit i kanë thyer dhe një xham me gurë.

Lidhur me këtë ngjarje, policia sqaron se “Për menaxhimin e situatës së krijuar në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë, si dhe drejtues të Policisë së Qarkut Dibër.

Ndërkohë që Drejtori i Policisë së Shtetit ka marrë kontakt të menjëhershëm dhe të vazhdueshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe forcat vendore të policisë me synim parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

Forcat e policisë kanë siguruar mjetin në fjalë, përfaqësuesit e QV-së Gjuras dhe kutitë e votimit që ndodheshin në këtë mjet, derisa rreth orës 02:20, të datës 22.06.2015, KZAZ-ja ka marrë në dorëzim kutitë e votimit me proces-verbal dhe i ka transportuar tek VNV-ja përkatëse.

Lidhur me këtë ngjarje është komunikuar menjëherë dhe me prokurorin e gatshëm, i cili ka qenë edhe prezent në vendngjarje.

Me qëllim identifikimin e personave të tjerë që lidhen me ngjarjen, janë siguruar pamje filmike dhe dëshmi të tjera. Deri tani janë identifikuar edhe 8 persona të tjerë, banorë të qarkut Dibër, pjesëmarrës në këto veprime të jashtëligjshme”.

Vijon kryerja e veprimeve hetimore e procedurale lidhur me ngjarjen në fjalë, ndërkohë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjeti LANDROVER, me targë TR 6791 T.

Materialet procedurale i janë referuar prokurorisë për veprat penale parashikuar nga nenet parashikuar nga nenet 293, 150 e 25 të Kodit Penal. Ndërkohë më herët u referuan materialet në prokurori ndaj Kryetarit dhe Sekretarit të Komisionit të Qendrës së votimit nr.1067, ndodhur në fshatin Gjuras, të cilët u ndaluan pasi dyshohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës, kryer në bashkëpunim”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb