Gjatë një Akademie solemne që po mbajt dje me rastin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit ndodhi një incident.

Teksa fjalën pritej ta merrte Presidenti shqiptar, Ilir Meta, e paftuar në skenë doli një grua, me emrin Valdete Dërralla, e cila u prezantua si pasardhëse e Mehmet Dërrallës, ish-ministër i qeverisë së Ismail Qemalit.

Ajo nisi të numërojë kritikat ndaj komunizmit dhe politikanëve aktual, mdërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për një moment mori rolin e sigurimit, duke e larguar fizikisht gruan nga skena. Pavarësisht protestës së saj mjaft të ashpër, Haradinaj me ndihmën e stafit organizativ ia arriti qëllimin që ta largojnë gruan nga skena.

Pas kësaj ceremonie, Kryeministri Haradinaj ka sqaruar situatën

“Nuk ka pasë dhunë. Në Dukagjin ne nuk e tregojmë forcën me gra, po me burra”, është shprehur Haradinaj, citon Pampress (satirike).

Kryeministri i Kosovës përmendi edhe një arsye tjetër pse ia ndqrpreu fjalën: “Unë nuk isha i dhunshëm me të. Unë i thashë që tani e ke autobusin e orës 5, pastaj s’ke deri nesër. E kisha për të mirën e saj”.

Por kush ishte Mehmet Deralla për të cilin foli Valdetja?

Arsimin fillor e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup.

Pas shkollimit në vendlindje, ai ndoqi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera.

Pas diplomimit do të shërbente për disa vite në një regjiment këmbësorie në Anadoll dhe njëherazi, atij do t’i jepej e drejta për të ndjekur shkollën e lartë të Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi.

Suksesi në karrierë falë aftësive dhe shkallës së lartë të përkushtimit në të gjitha detyrat e ngarkuara, do ta bënin Mehemtin që në moshën 35-vjeçare të përligjte kualitetet e titullit të “Pashait”, që nënkuptonte atë të gjeneralit.

I graduar kështu me gradën më të lartë të kohës do të niste nga detyrat e reja që do t’i besonte komanda e lartë, fillimisht si komandues xhandarmërie në Bagdad të Irakut dhe, më vonë, në Halep të Sirisë për t’u transferuar më tej në Selanik, i cili në atë periudhë përfaqësonte një nga portet më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane në Ballkan.

Prej Selanikut Mehmet Pashë Dërralla, do të merrte emërimin në vilajetin e Kosovës për të shërbyer në kryeqendrën e tij, në Shkup për të vijuar më vonë në funksionin e komandantit të qarkut të Prizrenit në të cilin bënte pjesë edhe Tetova, Gjakova dhe Luma.

Pikërisht me këtë detyrë gjeneral Dëralla, do t’i jepte fund karrierës si oficer i ushtrisë osmane.

Më tej, për të fillon një karrierë tjetër, me një profil të ri.

Ai në shenjë proteste hoqi spaletat dhe yjet e gjeneralit të Ushtrisë turke dhe iu përkushtua çështjes kombëtare.

Pas këtij momenti gjenerali u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Jemi në kohën kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare kulmonte një moment historik.

Mehmet Pashë Dërralla u caktua këshilltar i Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të kabinetit qeveritar.

Në të njëjtën linjë vazhdon aktiviteti atdhetar i Mehmet Dërrallës edhe pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit nga ushtria osmane e dërguar nga Stambolli.

Prej këtij momenti trishtues, gjenerali Dërralla do të kontribuonte në Lidhjen e Pejës.

Janë përpjekjet e personaliteteve shqiptare të vitit 1899, të cilët në drejtimin e Haxhi Zekës, ndërmorën aksionin për të realizuar atë që nuk mundi ta bënte Lidhja e Prizrenit. Sidoqoftë përballë taborëve osmane, kjo lëvizje detyrohet të dështojë.

Në këtë krizë Mehmet Pashë Dërralla u kap nga forcat okupatore dhe u internua në shkretëtirat e Irakut prej nga u kthye aty nga viti 1908, falë një amnistie të përgjithshme, që u dha pas kryengritjes xhon-turke.

Në situatën e mëvonshme Mehmet Dërrallës, ju ofrua një funksion i lartë në ushtrinë osmane, por ai e refuzoi prerazi, duke vënë në dukje se, tanimë i përkiste tjetër kauze që kishte të bënte me idealin kombëtar.

Roli i Mehmet Pashë Dërrallës në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912.

Ishin këto beteja që kulmuan me atë të verës së vitit 1912, e cila shënoi marrjen e Shkupit, ish- qendrës së vilajetit të Kosovës.

Kryengritësit shqiptarë, tashmë tronditën tërë mjedisin ballkanik, në të cilin faktori shqiptar filloi të bëhej dominant.

Në fokusin e lëvizjes së tyre u vendos në këtë periudhë shpërfillja e hegjemonizmit të shteteve fqinje siç ishte, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, të cilat prej kohësh investonin për strategjinë e tyre që kishte të bënte me mohimin e ekzistencën e kombit shqiptar, në mënyrë që të zgjeronin territoret e tyre.

Gjenerali Dëralla ishte një nga protagonistët kryesorë të qëndresës shekullore përballë sulmeve serbo-malazeze, të cilat synonin pushtimin e Shqipërisë veriore.

Nën komandën e tij, luftëtarët shqiptarë i gozhduan forcat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: