18 gusht 2022, Cekin, Gramsh
Një makinë luksoze tip “Chevrolet” me tre shtetas të huaj mbërrin në fshatin Çekin të Gramshit. Banorët habiten nga prania e këtij mjeti luksoz në fshatin e tyre dhe nga kurioziteti nisin ta fotografojnë dhe të sillen në mënyrë miqësore me tre të huajt që dukeshin si vizitorë.

Deri këtu, duket një fabul e bukur dhe argëtuese për disa turistë që po vizitonin një vend të panjohur për ta, por pasditja e 20 gushtit tregoi se e vërteta rezultoi se ishte krejt ndryshe.
Çfarë ndodhi më 20 gusht në fshatin Çekin të Gramshit dhe cila është dinamika e vërtetë e ngjarjes?

Pas investigimit News24 zbuloi vendin ku qëndruan dy rusët dhe ukrainasi gjatë ditëve që ishin në Gramsh, deri në momentin që ndodhi incidenti në uzinë.

Ky është ish-reparti ushtarak i fshatit Çekin ose siç njihet nga banorët kundërajrori. Në këtë ish-repart ushtarak qëndruan gjatë ditëve që ishin në Gramsh dy rusët dhe ukrainasi.

Kushtet nuk janë shumë të përshtatshme, por dy rusët dhe ukrainasi kishin marrë të gjitha masat për të qëndruar në një ambient të tillë. Por, përse ata zgjodhën të qëndronin në këtë ambient të fshehur dhe nuk u strehuan në ndonjë hotel të zonës?

“Atje flinin ata. Kanë hyrë në çdo repart”
Kjo pikë strategjike e fshatit Çekin është vetëm 100 metra larg ish-repartit ushtarak të fshatit Çekin aty ku qëndruan dy rusët dhe ukrainasi Fedir Alpatov. Pas shpinës time ndodhet depo e ujit e fshatit Çekin, në të majtën time ndodhet uzina mekanike e fshatit Çekin, ndërsa përballë meje ndodhet diga e hidrocentralit të Banjës.

Po nga kjo pikë strategjike duken qartë edhe antenat e qytetit të Gramshit për transmetimin e frekuencave të valëve. Vendqëndrimi i rusëve në këtë pikë strategjike tregon se misioni i tyre ishte mirëorganizuar.

“Në fakt nga të gjitha gjetjet shikohet që në aparatet e tyre celularë janë gjetur pamje, lëvizja e tyre, qëndrimi në disa vende të cilat mund të shërbejnë si mbledhje tipike e të dhënave në kuptimin gjeografik, i cili mund të përgatisë goditje të ndryshme të cilat mund të shkaktojnë destabilizim të shoqërisë”, tha eksperti i sigurisë publike Fabian Zhilla.
Pas ngjarjes shtetasve rusë dhe ukrainasit iu sekuestruan sendet që ata kishin me vete.

Grupi hetimor sekuestroi:
1 automjet Chevrolet me targa AX 6200 IP, dy drone, aparate fotografike, laptopë, usb memorie, celularë, pajisje te dyshimta elektronike, para, 3 lingota ari, pajisje vëzhgimi për natën, hardisk i jashtëm; 1 (një) copë fishek model 56, kalibër 7,62 mm dhe 1 (një) predhë fisheku armë zjarri kalibër 12.7 mm, dokumente identifikimi dhe udhëtimi, pajisje kampingu të ndryshme, 1 bombol e përdorur në formë spray neuroparalizuese, 6 telefona celularë dhe karta sim, ku disa prej kartave ishin shqiptare.

Në këto karta sim janë gjetur edhe komunikime me numra shqiptarë. Burime konfidenciale thanë për News24 se para se të mbërrinin në Gramsh, dy rusët dhe ukrainasi kanë pasur kontakte edhe me persona të tjerë në Tiranë, me të cilët janë takuar veçmas. Kush është “Krasnij Vorobej” “harabeli i kuq” që përmendet në kontaktet e tyre në Shqipëri. Ky informacion është në dosjen hetimore dhe mbahet top sekret.

Në aparatet e tyre janë gjetur të fotografuara objekte të sigurisë së veçantë të ruajtura nga ligji si dhe objekte të infrastrukturës kritike. Përveç Uzinës Ushtarake të Gramshit, kanë fotografuar edhe Hidrocentralin e Moglicës, digën e këtij HEC-i si dhe rezervuarin e Bovillës. Në rrjetin telegram, në një grup ku ishin 4 persona dërgoheshin të gjitha fotot që kishin bërë dy rusët dhe ukrainasi në vendin tonë.

“Këta janë të rekrutuar, janë paguar, u është dhënë lista e objekteve që duhet të filmojnë dhe të marrin informacion dhe më pas ta përcjellin. Megjithatë nga informacionet që del përgatitja fizike e njërit prej tyre ka qenë e admirueshme dhe nuk mund të përjashtohet mundësi që njëri nga ata mund të jetë edhe përfaqësues drejtpërdrejt i GRU-së”, tha Zhilla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: