TIRANE- Partia Demokratike ka akuzuar sot kryeministri Edi Rama se po ushtron presion ndaj mbështetësve të të djathtëve në lidhje me ‘zbarkimin’ dhe ushtrimin e kontrolleve nga ana e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Koplik të Malësisë së Madhe.


Në një dalje publike para mediave, kreu i grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka “PD paralajmëron jo vetëm urdhërdhënësit, se do të japim llogari shumë shpejt. PD i bën thirrje misionit të ODIR-it dhe OSBE të monitorojë nga afër situatën dhe i bëjmë thirrje dhunuesve dhe dhunës policore. Edi Rama, ky burracak, që mendon se do i shpejtojë humbjes së pashmangshme, e ka në 21 qershor.”.

POLICIA E SHKODRËS HEDH POSHTË DEKLARATËN E PD-SË: DY PERSONA OFENDUAN DHE QËLLUAN NJË EFEKTIV
Policia e Shkodrës ka hedhur poshtë deklaratat e Partisë Demokratike, për ushtrim dhune ndaj aktivistëve të saj. Në një deklaratë drejtuar mediave, blutë e këtij qyteti bëjnë me dije se edhe pse policia u vonua vonë për aktivitetin morën të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e sigurisë. Nga ana tjetër, forcat e rendit kanë dhënë versionin e tyre mbi ngjarjen, ndërsa kanë theksuar se dy persona kanë ofenduar efektivët e policinë. Ndërkohë, në reagim thuhet se ata qëlluan për shkak të detyrës në drejtim të punonjësit me iniciale S.K,.

“Lidhur me incidentin e ndodhur dje, pas takimit elektoral të PD-së në Malësinë e Madhe, sqarojmë se: Në datë 09.05.2015 ora 15:30, Dega e Partisë Demokratike e Rrethit Malësi e Madhe njoftoi për zhvillim e një takimi në orën 17.00 ku do të bëhej prezantimi i Kanditatit për Kryetar Bashkie i këtij Subjekti Politik. Me gjithë kohën e limituar, nga ana e Policisë u hartua Plani i Masave për zhvillimin normal të takimit. Pas përfundimit të aktivitetit dhe largimit të Kryetarit të PD-së, z. Lulzim BASHA, mbështetësit e kandidatit, për rreth 20 minuta mbajtën të bllokuar qendrën e qytetit të Koplikut.”, citohet në reagimin e policisë. Po sipas këtyre burimeve, rreth orës 18:00, shtetasit Fabian Popaj dhe Emirjon Hasaj ofenduan me shprehje fyese punonjësit e Policisë, të cilët ndodheshin në detyrë. “Në këtë moment, shtetasit e mësipërm kanë goditur me grusht punonjësin e policisë për shkak të detyrës S.K. Për këtë veprim punonjësi i Policisë ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.”, citohet më tej në komunikatë.

Duke marrë nga kjo ngjarje, policia shpalli në kërkim Fabian Popaj dhe Emirjon Hasaj. “Rreth orës 21:00 u ushtrua kontroll në banesat e tyre, por ata nuk gjendeshin në to. Po punohet për kapjen dhe shoqërimin e tyre për veprime të mëtejshme. Shtetasi Emirjon Hasaj është proceduar edhe në 27 mars 2015, nga Prokuroria e Shkodrës për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë”. Policia është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë, si edhe aktivitetin elektoral të çdo subjekti politik.”, përfundon deklarata e policisë së Shkodrës.

Ngjarja
Pak orë pas mitingut të kreut të PD-së Lulzim Bashës në Koplik të Malësisë së Madhe, Partia Demokratike denoncon zbarkimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë duke ushtruar kontroll dhe presion në banesat e mbështetsve të PD të cilët ishin në takimin elektoral.

Denoncimi erdhi nga kreu lokal i partisë Demokratike, deputeti i zonës dhe si dhe kandidati i PD në Malësinë e Madhe. Lidhur me rastin Policia ende nuk ka një reagim zyrtar mbi zhvillimin e operacioneve, të cilat u denoncuan nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike si presione politike.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: