Skenat e rënda të konfliktit të ditëve të fundit që u shënuan në terminalin e trageteve në Durrës si rezultat i vonesave të trageteve solli mbledhjen emergjente të komitetit të Sigurisë në portin e Durrësit ditën e sotme me prani dhe të Prefektit të Qarkut, z.Roland Nasto.

Kreu Ekzekutiv i APD-së, Afrim Bakaj dhe prefekti pohuan se institucionet duhet të bashkëpunojnë për të shmangur ankesat e pasagjereve. Nasto tha se lidhur me incidentin e regjistruar më datë 11 gusht në sheshin e trageteve në Port- Durrës, ka filluar procedimi penal.

“Pasagjerët po trajtohen si skllevër. Në portin e Durrësit nuk ka asnjë tendë për hije as për makinat as për njerëzit. Nuk kanë ujë, tualete dhe detyrohen të qëndrojnë në pritje me orë të tëra”, pohuan kapiteni Taulant Allka dhe oficeri sigurisë Dritan Prifti duke i bërë thirrje portit të marrë masa.
Edhe agjencitë e lundrimit ngritën ankesa në drejtim të kushteve të munguara.

Lidhur me rastin Drejtoria Vendore e Policisë Durrës bën të ditur se “Konflikti ka nisur midis ekuipazhit të tragetit të linjës Bari -Durrës-Bari dhe pasagjerëve. Pasagjerët ishin acaruar pasi kishin disa orë që prisnin për t’i nisur për udhëtim, por trageti kishte pësuar defekt dhe kishte njoftuar se do të kishte vonesë në nisje”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb