Para se të shpikej shtypshkronja, librat ishin të papërballueshëm. Prodhimi i tyre bëhej i mundur vetëm prej subvencionimeve të Kishës Katolike, e cila ruante kështu monopolin mbi dijen. Shtypshkronja jo vetëm i bëri librat e përballueshëm për klasën e tregetarëve në mesjetë, por mundësoi që bibla të botohej në gjuhë të tjera përvec latinishtes.
Por shtypshkronja nuk ndryshoi vetëm gjuhën e librave, ajo po ashtu transformoi edhe stilin dhe tendencën e debatit. Debatet skolastike të mesjetës te cilat ishin te ashpra por të edukuara u zëvendesuan nga debate teologjike të mbushura me zhargon dhe që padyshim ishin më teatrale. Reagimi i institucionit katolik ndaj kësaj epoke të re ishte i shumëanshem , por vlen te përmendet krijimi i Indeksit i Librave të Ndaluar; Brenda këtij indeksi u përfshijnë shumë nga veprat e rëndësishme të kulturës perëndimore, nga Niccolò Machiavelli dhe René Descartes te Galileo Galilei dhe Immanuel Kant.
Thonë që kur historia harrohet ajo përsëritet. Në 15 vitet e fundit një ndryshim i madh u shfaq ngadalë: shoqëria politika, ekonomia, por mbi të gjitha mendja njerëzore po riformëzohet nën pushtetin transformues të mediave sociale. Edhe pse mediat sociale kanë revolucionarizuar mënyrën sesi ne ndërveprojmë me njeri tjetrin, për të manaxhuar efektet negative të saj, ne po kthehemi tek “indeksi ” por kësaj here i mediave sociale të ndaluara!
Të mbyllim tik tok-un , edhe të lejojmë Instagram- in? Të mbyllim Instagram-in edhe të lejojmë Facebook-un? Të mbyllim Facebook-un edhe të lejojme vetëm kanalet televizive, ku dhuna verbale e fizike, ekzibicionizmi seksual, vulgariteti ekstrem i të folurit, dhe humoristët që rrallë ngrihen mbi humorin e rrugës, janë bërë të zakonshme ? Apo të mbyllim televizionet por të lejojmë podcastin Kryeministrit ku intervistohen shumë nga krijuesit e kësaj oferte irracionale masive?
Nëse teknologjia ndihmon ose jo qytetarët e zakonshëm, nuk varet vetëm nga natyra e teknologjisë, por nga mënyra sesi përdoret kjo teknologji në shoqëri. Nëse pesëmbëdhjetë vitet e fundit, nuk keni jetuar nën një shkëmb e keni kuptuar se sistemet e te gjitha mediave sociale shpërblejnë si financiarisht edhe psikologjikisht, vetëm veprimet e njerëzve që tërheqin vëmendjen e përdoruesve të tjerë.
Ekonomia e vëmendjes ose “grushti i shtetit” i marketingut të shekullit 21, është në kërkim të vazhdueshëm të videos apo imazhit viral të rradhës. Njerëzit qajnë qeshin, dashurojnë tradhëtojnë, martohen, mbetet shtatezënë , ndahet, urrehen, shahen pse jo edhe vriten për pak më shumë vëmendje.
Edhe pse komodifikimi edhe normalizimi i dhunës injorancës edhe vulgaritetit është algoritmi bazë I promovimit në media sociale per fatin tonë të keq ky trend nuk filloi edhe nuk është I kufizuar vetëm te mediat sociale .
Përshembull televizioni në prime time shfaq dhunë çdo natë. Psikopatët dhe vrasësit serialë portretizohen si protagonistë. Ndërsa gratë janë shpesh objektivi i kësaj dhunë të sëmurë.
Formatet televizive që kanë pushtuar ekranet tona janë te mbushura me modelet e përtacëve funksional qe kërkojne të pasurohet nëpermjet vëmendjes ndërsa inkurajonjne cektësinë edhe materializmin. Për të gjithë këtë ofertë kaq racionalisht irrituese, ka një kërkesë te madhe emocionalisht të pranueshme. Natyra njerëzore magjepset nga shkeljet e normalitetit pasi ato janë hipnotike për t’u parë e ndjekur.
E pra, media në terësi është lejuar të lulëzojë si një treg që mund të plotesojë nevojat më të dobëta e më të errta të natyrës njerëzore, si një treg që shpërblen vulgaritetin, mashtrimin dhe injorancën, duke i siguruar krijuesve të kësaj oferte shumë para e famë , madje ne vende si Shqipëria edhe një intervistë në podcastin e Kryeministrit.
Teknologjia na ka paisur të gjithëve më mundësinë për t’u shprehur, për të treguar kush jemi dhe çfarë vlerësojmë. Me anë të saj ne kemi mundur të zgjerojmë komunitetin të cilit përkasin . Nëse shtypshkronja theu monopolin e kishes mbi dijen, mediat sociale, thyen oligopolin komod të shtypit edhe trasmetimit mbi informacionin . Sot për shkak po të teknologjisë ne mund të aksesojmë në cdo kohë podcaste, e blogje interesante nga të cilat gjithë shoqëria mund të mësojmë shumë .
E pra problemi nuk janë mediat sociale, por moskuptimi masiv, edhe keqpërdorimi I hershëm i marrëdhënies reciproke midis mbrojtjes së shoqerisë nga mediat dhe fuqizimit të saj po prej tyre.