Postera të mëdhenj të Zëvendës Presidentes së SHBA Kamala Harris janë vendosur në fshatin Thulasendrapuram në distriktin Tiruvarur të Tamil Nadu të Indisë, pasi ajo u mbështet nga presidenti amerikan Joe Biden si kandidate e Partisë Demokratike kundër Donald Trump të Partisë Republikane në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Në një video të shpërndarë nga ANI, disa postera mund të shihen në disa vende të fshatit, nga i cili e ka origjinën e largët zv/presidentja aktuale amerikane Kamala Harris.

Thulasendrapuram, i rrethuar nga fusha me rërë, dikur ishte shtëpia e gjyshit të nënës së Kamala Harris. Një fotografi e madhe e saj qëndron në hyrje të fshatit pranë tempullit të tij kryesor, raportoi AFP.

Pasi Biden u tërhoq nga gara dhe i hapi rrugën Harris për të kandiduar, lutjet e komunitetit kanë filluar në fshat dhe pritet të vazhdojnë çdo ditë deri në ditën e votimit më 5 nëntor, thuhet në raport.

Kryeprifti i një tempulli, M Natrajan, bëri përulje duke ofruar ëmbëlsira për zotat dhe tha: “Ne u lutëm për të dhe ajo u bë zv/presidente… Me bekimin e hyjnisë sonë të gjithëfuqishme, ne jemi të bindur se ajo tani do të bëhet edhe presidente”.

Gjithashtu, ekziston një imazh i madh i Harrisit që qëndron jashtë portave të tempullit. Natrajan vuri në dukje se shkalla e lutjeve do të rritet me afrimin e zgjedhjeve.

Sipas AFP, emri i Harris shihet në listën e donatorëve në një nga muret e tempullit, megjithatë, ajo nuk e ka vizituar këtë vend që kur u betua si zëvendëspresidente e SHBA-së në vitin 2021.

“Këtë herë nëse fiton përsëri, festimet do të jenë më madhështore se çdo gjë që fshati ka parë ndonjëherë”, tha prifti për agjencinë e lajmeve, duke shpresuar se ajo do ta vizitojë vendin pas fitores.

PV Gopalan, gjyshi i Harris nga nëna, u largua nga fshati dekada më parë. Por banorët atje kanë thënë se familja vazhdon të mbajë një lidhje të ngushtë me të dhe madje ka dhuruar rregullisht për mirëmbajtjen e tempullit.

Harris ka lindur në Kaliforni. Ajo vizitonte shpesh Indinë me nënën e saj, Shyamala Gopalan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb