India ka dërguar një aeroplan që transportonte ndihma humanitare në Mianmar, njoftoi sot ministri i saj i Jashtëm, një ditë pasi një tërmet i fuqishëm goditi një vend tashmë të shkatërruar nga lufta civile.

Kreu i juntës në Myanmar, Min Aung Hlaing, kishte apeluar për ndihmë ndërkombëtare dje, të premten, duke ftuar “çdo vend, çdo organizatë” të vijë dhe të ofrojë ndihmë në Mianmar, ku tërmeti ka vrarë të paktën 694 njerëz dhe ka plagosur 1670 të tjerë, sipas raportit të fundit.

Fakti që qeveria ushtarake, e izoluar pas grushtit të shtetit të shkurtit 2021, ka bërë thirrje për ndihmë nga jashtë, po rrit frikën për një fatkeqësi në shkallë të gjerë.

Ministri i Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar njoftoi sot se një aeroplan transporti C-130 u nis për në Mianmar që mbante komplete higjienike, batanije, ushqime dhe sende të tjera thelbësore.

“Këtë fluturim po e shoqëron edhe një ekip kërkim-shpëtimi si dhe një ekip mjekësor”, sqaroi ai. “Ne do të vazhdojmë të monitorojmë zhvillimin e situatës”, tha ai, duke premtuar ndihmë shtesë.

Tërmeti, i cili kishte një thellësi fokale të cekët, ndodhi dje në veriperëndim të qytetit të Sagaing (qendër) rreth orës 07:20 me orën tonë (12:50 me orën e Mianmarit dhe 13:20 me orën tajlandeze), ndërsa pak minuta më vonë pasoi një tërmet i ri me magnitudë 6.7 ballë.

Tërmetet shkaktuan kaos dhe shkatërrime në Mianmar, me shembjen e shtëpive, ndërtesave, urave apo objekteve të kultit, në një vend të rraskapitur nga konflikti civil që ka shpërthyer pas grushtit të shtetit të juntës.

Tërmeti është më i fuqishmi që ka goditur Mianmarin në më shumë se 100 vjet, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), dhe u ndje deri në 1000 kilometra larg nga epiqendra, në Tajlandën fqinje, ku sipas raportit të fundit vdiqën tetë persona.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: