Shqipëria nuk është i vetmi vend që ka problem me qeset plastike dhe që po mendon ndalimin e tyre me ligj. India synon që para vitit 2022 të eleminojë plotësisht përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshe në vend. Planin ambicioz e njoftoi Kryeministri Narendra Modi. Mekanizmat sesi do të realizohet kjo gjë mbeten ende për t’u të paqarta, por disa përpjekje janë bërë, fillimisht në formën e fushatave ndërgjegjësuese dhe në rajonet më problematike edhe me masa kufizuese për popullatën që të mos përdorë qeset. India ka një mesatare përdorimi qesesh plastike shumë më të ulët se vendet e zhvilluara në Perëndim, por popullsia prej 1.3 miliardë njerëz dhe fakti që është ekonomia që po rritet me ritmet më të shpejta për momentin do ta bëjnë akoma më sfiduese përpjekjen e Narendra Modit. “Zgjedhjet që ne bëjmë sot përcaktojnë të ardhmen tonë të përbashkët. Disa vendime mund të mos jenë të lehta për t’u bërë, por me ndërgjegjësimin, teknologjinë dhe bashkëpunimin tonë, jam i sigurtë që do t’ja dalim mbanë. Le të mposhtim ndotjen plastike të planetit tonë dhe ta bëjmë atë një shtëpi më të mirë për të jetuar”, deklaroi ai.Qeset dhe materialet e tjera plastike njëpërdorimshe janë ndotësit më të mëdhenj sot të ambientit. Një vëzhgim i NASA-s mbi oqeanin Paqësor fotografoi morinë e mbetjeve njerëzore të këtij lloji, që nëse do të bëheshin bashkë do të zinin një sipërfaqje dy herë më të madhe se sipërfaqja e Francës. Në fakt, qeset dhe materialet plastike janë duke shkaktuar një krizë globale. Janë 50 vende në total që kanë marrë hapa konkrete kundër tyre, që nga ndalimi total i përdorimit, si Galapagosi e deri tek promovimi i çantave me materiale që shpërbëhen lehtësisht në Kinë.Megjithatë, çdo vit miliona tonelata plastike derdhen në dete e oqeane. Lumi që ndot derdh më shumë këto materiale në oqean është Jangtze në Kinë, për vetë faktin se përgjatë gjithë rrjedhës së tij jetojnë 500 milionë banorë, rreth 40 për qind e popullsisë totale të Kinës. Raportet vjetore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kërkojnë një reagim më të ashpër dhe mes masave që reduktojnë ndjeshëm përdorimin e plastikës rendisin taksimin e tyre dhe ndalimin me ligj. OKB thotë se duhet më shumë ndërgjegjësim nga biznesi që prodhon këto produkte, madje kërkon masa që edhe vetë ky biznes të reklamojë mospërdorimin e qeseve, duke vendosur etiketa të ngjashme me ato që shihen tek paktetat e duhanit.(o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb