Thellohet më tej skandali i dhënies së shtetësisë shqiptare për dy vëllezërit indianë që janë shpallur në kerkim ndërkombëtar për mashtrim financiar. News24 zbardh letërkëmbimet mes Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Ministrisë së Jashtme për dhënien e pëlqimit që njëri nga dy vëllezërit, Nitin Sandesara të bëhej konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri.
“Në përgjigje të shkresës suaj numër 177437 datë 13 nëntor 2018, pas verifikimeve të kryera ju bëjmë me dije se Shërbimi Informativ Shtetëror është i mendimit që të jepet pëlqimi për emërimin e Z.Nitin Sandesara, konsull nderi i vendit tone në Nigeri”
Në shkresën që SHISH i ka dërguar Ministrisë së Jashtme, nuk konstatohet asnjë problematikë në verifikimin e Nitin Sandesara, i cili kishte mashtruar bankat shtetërore indiane. Krahas kësaj, mësohet se shtetasi indian, i cili kishte marrë edhe shtetësine shqiptare, nuk u pajis nga Ministria e Jashtme me pasaportë diplomatike.
Ministria e Jashtme, nga ana e saj kishte marrë një kërkesë nga Ministria e Jashtme e Nigerisë e cila kerkonte që Nitin Sandesara të behej konsull nderi.
“Kam kënaqësinë t’ju prezantoj z. Nitin Sandesara, i cili ka treguar interes për të shërbyer si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri. Kjo kërkesë bazohet në përpjekjet e tij për të zgjeruar miqësinë misids dy shteteve, veçanërisht mbi nevojën për të siguruar rritjen e invetimeve dhe tregtisë misida dy vendeve nëpërmjet zyrës së konsullit të nderit në Abuja. Z. Nitin Sandesara dhe bashkëinvestuesi z. Chetan Sandesara janë të përkushtuar ndaj performancës në sektorin e naftës dhe gazit. Në bazë të performancës së kompaisë së tyre, ajo është vlerësuar nga ish presidenti si një ndër 100 bizneset më të suksesshme në Nigeri në vitin 2014 madje në një shkresë të policisë së Nigerisë theksohet se shtetasi indian ishte i pastër.
Sipas mediave indiane, vëllezërit Nitin dhe Chetankumar Sandesara kanë marrë deri në 1 miliard dollarë Amerikane kredi nga bankat shtetërore, duke i zhdukur përmes një rrejti prej 300 kompanish offshore, të krijuara nga ata vetë. Për këtë skandal një gjykatë në Indi ka lëshuar urdhërarreste për ta. Por ndërsa ishin shpallur në kërkim në Indi, shtetasit indianë jetonin të qetë dhe madje kishin investuar në Shqipëri.
Në Shkurt të 2018 dy shtetas indian morën nënështetësinë shqiptare. Sipas institucionit të Presidencës i cili reagoi për këtë rast, ka qënë Ministria e Turizmit që ka bërë propozimin për dy shtetasit indianë, qe të merrnin nënshtetësinë shqiptare. News24 u interesua pranë Ministrisë së Turizmit në lidhje me këtë cështje, por kjo Ministri nuk kishte një përgjigje për procedurat dhe verifikimet që janë kryer për dy vëllezërit Sandesara.
Pak ditë më parë, policia prangosi shtetasin indian Hitesh Patel, i cili rezulton se është kunati i vëllezërve Sandesara, i përfshirë gjithashtu në skandalin e mashtrimit financiar në Indi. Pritet që brenda këtyre ditëve autoritetet indiane të sjellin në Tiranë kërkesën për ekstradimin e tij nga Shqipëria. Ndërkohë nga policia shqiptare nuk ka asnjë të dhënë nëse dy vëllezërit Sandesara jane ende në Shqiperi apo janë larguar pas publikimit tëskandalit.
(BalkanWeb)