NGA: Mariglen Mertiri
Teksa politika shqiptare po nxehet çdo ditë e më shumë për shkak të fushatës dhe pritshmërive për pushtet, industria e bukës gjykon ftohtë duke iu drejtuar disa kërkesa konkrete që pret t’i realizojnë qeveria e re. Nëpërmjet shoqatës së prodhimit të bukës dhe pastiçerive këto biznese kërkojnë nxitje për zhvillimin e tyre pasi operojnë në një sektor specifik mjaft i nevojshëm për qytetarët. Ulja e TVSH-së deri në 9% për prodhimet e bukës, ulja e masave represive për mosdhënien e kuponit tatimor dhe lehtësira nga tarifat vendore, ishin ndër kërkesat kryesore.

Prodhuesit e bukës mbështesin iniciativën e Bashkisë së Tiranës për reduktimin e qeseve plastike pasi sipas statistikave të tyre vetëm në kryeqytet konsumatorët përdorin 2 milionë qese çdo ditë për transportin e produkteve nga furrat e bukës. Krahas kërkesave, këto biznese përshëndesin mosndryshimin e cmimit të energjisë. Ndërsa po kontribuojnë dhe mbështesin arsimin profesional me praktika në bizneset e tyre.

Kjo shoqatë ka përfshirë në gamën e produkteve që përfaqësojnë edhe pastiçeritë dhe prodhimet e brumit për shkak të zhvillimit të furrave dhe ofrimit të disa produkteve si ëmbëlsirat por edhe ushqime te shpejta. Prodhuesit e bukës apelojnë partitë politike gjatë fushatës dhe qeverinë e ardhshme pas 25 qershorit, për një sërë lehtësirash fiskale dhe tarifore që ky biznes specifik jo vetëm të mbijetojë por edhe të zhvillohet.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb