Ines Muçostepa do të jetë sërish edhe për një mandat tjetër 4-vjeçar në krye të Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë. Në zgjedhjet e mbajtura këtë të hënë për kryetar të Unionit të Dhomave Muçostepa ka marr më shumë vota se sa kandidati tjetër në këtë garë Pjerin Fusha.

“Procesi ka qenë normal dhe kanë votuar 60 % e asamblesë pra kanë marr pjesë 64 antarë nga 112 anëtarë të kryesisë. Ines Muçostepa ka marrë 49 vota ndërsa Pjerin Fusha 13 vota, 2 vota ishin të pavlefshme”, deklaron Aleks Milla, kryetar Komisioni.

Më herët në 13 qershor Asambleja zhvilloi zgjedhjet për kryetarin e unionit, kryesinë e përbërë prej 20 anëtarësh dhe auditin e brendshëm të këtij institucioni. Në zgjedhjet e mbajtura në 13 qershor kandiduan Ines Muçostepa dhe Elisabeta Katiaj, ku kjo e fundit rezultoi fituese.

Por kandidatja Muçostepa vendosi t’i kontestojë këto zgjedhje duke i dërguar një shkresë Ministrisë së Financave si organi mbikëqyrës në pjesën e procesit të zgjedhjeve për parregullsi.

Burime për News24 bëjnë të ditur se në shkresën që Muçostepa i ka dërguar Ministrisë së Financave paraqiten disa problematika në procedurat e procesit të votimit. Për këtë arsye Ministria e Financave ngriti një grup auditi që vendosi ribërjen e zgjedhjeve. Por këtë radhë është Elisabeta Katiaj, kandidatja fituese e 13 qershorit ajo që ka kontestuar zgjedhjet e kësaj të hëne duke i cilësuar ato si të paligjshme. Katiaj nuk ishte pjesë e garës në zgjedhjet e ripërsëritura dhe pretendon se u përjashtua pa marrë asnjë njoftim.

“Është vendim që e ka  marrë vetë Komisioni. Unë nuk kam depozituar asnjë kërkesë për dorëheqje nga kandidimi. Nuk më është bërë ndonjë komunikim për të më rikonfirmuar kandidimin në këtë zgjedhje apo jo, as nga Komisioni, as nga Dhoma e Tregtisë ku unë aderoj. Kërkesa ime ishte realisht për procesin e paligjshëm zgjedhor, për ndalimin e procesit të votimit dhe për moscertifikimin si rezultat i këtij procesi zgjedhor i cili është totalisht në shkelje të ligjit”, thotë Katiaj.

Por sekretarja teknike e komisionit zgjedhor thotë se Katiaj duhet të kishte plotësuar formularin që i është dërguar për të rikandiduar sërish, veprim që sipas saj nuk ka ndodhur.

Anulimi i zgjedhjeve të 13 qershorit dhe rizhvillimi i procesit më 29 korrik, për kreun e Unionit të Dhomave të Tregtisë sipas Partisë Demokratike është bërë me ndërhyrjen e kryeministrit Edi Rama. Nënkryetari i PD, Edmond Spaho shprehet se kreu i qeverisë po përpiqet të kapë dhe biznesin.

Për këto zgjedhje opozita thotë se ka informuar dhe organizatat ndërkombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb