KOSOVË- Këshilltari i Komunës së Gjakovës, anëtar i partisë AKR të Behgjet Pacollit ka humbur jetën sot pas një infarkti që i ka rënë gjatë kohës që merrte pjesë në mbledhje.

Sipas mediave kosovare, asamblisti Gent Olloni pësoi një infarkt dhe më pas humbi jetën në spital. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Menjëherë pas ngjarjes, Aleanca Kosova e Re dhe kryetari i kësaj partie, Behgjet Pacolli ka ngushëlluar familjen Olloni me rastin e vdekjes së asamblistit, Gent Olloni.

Në telegramin e ngushëllimit thuhet “Me pikëllim dhe dhembje të thellë e mora lajmin për vdekjen e z.Gent Olloni, sekretar i degës dhe këshilltar i AKR-së në Komunën e Gjakovës. E nderuara familje Olloni, pranoni ngushëllimet e mija më të sinqerta për humbjen e bashkëshortit, babait dhe djalit tuaj të dashur. Do të na mungoje të gjithëve energjia, angazhimi dhe puna e tij e palodhshme për gjithë këto vite qe ai ia përkushtoi kauzës dhe vizionit të AKR-së, në interes të të gjithë qytetarëve të Gjakovës”.

“Më vjen shumë keq që ndodhem jashtë Kosovës dhe nuk mundë të jem pranë jush në këto çaste pikëllimi, sidoqoftë edhe një herë në emrin tim personal si dhe në emër të AKR-së, pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta, Gentit iu prehtë shpirti në paqe dhe zoti qoftë me të dhe me ju familje e respektuar”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: