TIRANE- Infermieri i Urgjencës së Tiranës, Frrok Bardhi në një intervistë ‘BalkanWeb’ tregoi disa nga problemet me të cilat haset sot ky shërbim. Bardhi komentoi edhe fotot e prezantuara nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ndërsa tha se nuk e di ku i marrin ato makina, pasi në ambulancat e urgjencës së Tiranës, mungojnë nga stolat e rripat e sigurimit, duke e dëshmuar këtë gjatë intervistës, me foto e video nga autoambulancat që përdorin sot mjekët e urgjencës së Tiranës. “Në kohën e Nanos këto kanë qenë ambulancat më të mira në Shqipëri, ndërsa sot në të mungojnë edhe pajisjet, defibrilator, se ku kanë vajtur nuk e di. Në 8 autoambulanca janë 3 defibrilatorë’, -u shpreh Bardhi.

“Në Urgjencën e Tiranës është dyfishuar numri i personelit, me infermier e shoferë. Por mund të më thoni se si mund të hipin 120 veta në 8 autoambulanca. Një turn ka 6-7 mjekë 10- 12 infermierë dhe 10-12 shofere, ndërsa autoambulancat punojnë non-stop 24 orë. Janë 40 e ca shoferë për 7 shoferë. Urgjenca nuk do fjalë, reklama e foto. Urgjenca do punë, profesionishte mjete e njerëz të përgatitur. Mjete të rregullta dhe që jo fiken gjatë rrugës, dhe vjen era naftë e ferrota gjithë rrugës”, -tha më tej Bardhi.

“Të gjithë infermierët e mjekët janë të denigruar, ndaj detyrohen të ikin jashtë. Nuk kanë kushte, nuk kanë rroga. Do vijë dita që në Shqipëri do shërbejnë njerëz që nuk dinë të bëjnë injeksion.” U shpreh Bardhi, ndërsa tha se në urgjencë ka nevojë për mjekë. “E di që në çantën e urgjencës së Tiranës mungojnë medikamente jetike. Që janë morfina, jetëshpëtuese, nga Nënë Tereza mungon trinitrina, ka një vit që nuk furnizohen. Te Shefqet Ndroqi mungon analgina”, -tha Bardhi ndërsa shtoi se defektet në autoambulanca bëhen nga vetë shoferët, sepse o do marrin rrogën o do lenë punën. “Ato makina janë të superamortizuara, rrezikojnë çdo ditë jetën e mjekëve e pacientëve. Janë jashtë funksioni, është kriminale të detyrosh mjekët e infermierët të futen në makina që fiken rrugës. Më ka ndodhur që më është prishur leva e frenave të dorës, kemi marrë më pas ambulancë tjetër.”

Frroku tha se do të vijojë të denoncojë raste të tilla, edhe pse është bërë gjithçka për ta hequr atë nga puna. Frroku e mbylli Intervistën me gazetarin Skëndaj me një apel për kreun e shtetit, KLSH e çdo deputet që është mjek, ndërsa një përgjigje dha edhe për kryeministrin Rama, i cili sipas tij e ka etiketuar me fjalën ‘karagjoz dhe anëtar i PD’.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb