Në emisionin “Koha për tu zgjuar” në News 24 ishte i ftuar mjeku gastrohepatolog Gerald Kola i cili ka trajtuar sëmundjen e gastro-enteritin ose ndryshe inflamacioni i zorrëve.
Mjeku ka sqaruar disa nga arsyet të cilat mund të shkaktojnë inflamacionin si problemet me ushqimin, virozat dhe stresi.
“Inflamacioni i zorrëve mund të shkaktohet nga disa arsye, nga një problem me ushqimin deri tek një virozë e stinës , stresi ose një sëmundje autoimune dhe nuk mund të përcaktohet.
Simptomat mund të jenë tek dhimbjet e barkut ose diarreja e cila mund të zgjasë deri në tre ditë ose dhe më shumë”, tha Kola
Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që mikrobiota ose flora e zorrëve të jetë e shëndetshme dhe gjithashtu mund të ndikojnë dhe antibiotikët të cilët ndikojnë në uljen e baktereve në organizëm.
Sipas tij, pacientët në momentin që përdorin antibiotikë dhe nuk marrin probiotikë është shumë e rëndësishme të marrin prebiotikë, pasi këto të fundit mund të merren edhe në mënyrë natyrale nëpërmjet ushqimit duke përdorur kripën dhe në konsumimin e turshive.
“Sa më e shëndetshme të jetë mikrobiota ose flora e zorrëve aq më fortë janë dhe ato. Antibiotikët shpeshherë mund të ndikojnë në uljen e baktereve në organizëm. Unë do të rekomandoja që në momentin e përdorimit të antibiotikut, pacientët që nuk përdorin probiotik duhet patjetër të marrin prebiotik. Ne mund t’i marrin prebiotikët edhe në mënyrë natyrale nëpërmjet ushqimit si në përdorimin e kripës dhe të konsumimit të turshive.” përfundoi mjeku
(BalkanWeb)