Mëngjesin e sotëm në “Koha për t’u zgjuar” ishte i ftuar avokati Alban Duraj, i cili foli në lidhje me çështjet që lidhen me pronësinë.
Ai u ndal te Parashkrimi fitues si një nga format e fitimit të pronësisë, ndërsa sqaroi edhe specifikat që duhet të plotësohen që një gjë e tillë të ndodhë.
Avokati u shpreh se afatet e parashikuara për fitimin e pronësisë së një sendi në bazë të posedimit të tij në mirëbesim, janë 5 vite për sendet e luajtshme dhe 10 për ato të paluajtshme, afate të cilat dyfishohen në rastet kur posedimi nuk ka qenë në mirëbesim.
Duraj sqaroi gjithashtu se një nga kushtet për parashkrimin fitues, në rastet e marrjes së një objekti apo banesë me qira, është mungesa e një kontrate të shkruar, pra qiradhënia duhet të jetë në kushtet e informalitetit.
“Nëse një qeramarrës rri për më shumë se 20 vite në një pronë atëherë në bazë të parashkrimit fitues, mund ta pretendojë si pronë. Parashkrimi fitues përcaktohet në Kodin Civil. Afatet e parashikuara janë posedimi për 5 vite për sendet e luajtshme dhe 10 për ato të paluajtshme. Afte të cilat dyfishohen në momentin kur posedimi ka qenë jo në mirëbesim.
Pronat publike nuk janë subjekt i parashkrimit fitues.
Në rastet e qiramarrjes, në kushtet e mirëbesimit, qiramarrësi duhet të ketë 10 vite që banon në banesë. Megjithatë nëse gjithçka është me kontratë të rregullt dhe pagesa bëhet normalisht, nuk jemi në kushtet e Parashkrimit fitues.
Përcaktimi tjetër, neni 168 paragrafi 2, parashikon se rastet kur poseduesi prej 20 vitesh është në keqbesim, në mënyrë të vazhdueshme i shqetësuar nga pronari apo e ka zaptuar këtë pronë. Por pronari nuk ka iniciuar një proces gjyqësor”, tha avokati.
(BalkanWeb)