Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri priti sot në takim Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës Dixhitale të Republikës Federale të Gjermanisë, Andreas Scheuer. 

Në përfundim të takimit, dy ministrat nënvizuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e infrastrukturës dhe energjisë.

Patëm një takim shumë të frytshëm me homologun gjerman. U fokusuam në bashkëpunimin e  Shqipërisë në fushat me të cilat ka interes siç janë infrastruktura dixhitale pasi jemi duke diskutuar për disa projekte të përbashkëta. Pse jo edhe interesi i kompanive gjermane për të zhvilluar infrastrukturën aeroportuale në Shqipëri. Unë i kërkova ministrit të ftojë kompanitë gjermane në potencialet e mundshme që do të hapen në zhvillimin e kësaj infrastrukture aeroportuale sidomos në jug”, u shpreh Gjiknuri.  

Scheuer tha se diskutimi mbi tematikën e transportit ishte shumë i rëndësishëm. 

Gjermania vazhdon të mbetet një partner mjaft i rëndësishëm i Shqipërisë. Ne kemi përvojën, kemi investitor të rëndësishëm, bashkëpunojmë mjaft mirë me njëri – tjetrin. Dëshirojmë që Shqipëria të shënojë zhvillime të mëtejshme jo vetëm përsa i përket proceseve integruese në Bashkimin Europian ku Gjermania sigurisht ofron mbështetjen e vet por dëshirojmë që të mbështesim këtë zhvillim edhe në interes të vetë Gjermanisë”, nënvizoi Scheuer.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb