“Gazetarët kanë nevojë për hapësirë lirie të mjaftueshme dhe njëkohësisht për siguri ligjore. Unë i inkurajoj institucionet shqiptare, të rishikojnë projektligjet në koordinim të ngushtë me gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave” -kështu u shpreh ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, gjatë një takimi me gazetarët mbi sistemin e mediave.

Në lajmin e publikuar nga ambasada gjermane në rrjetet sociale, Zingraf thekson se një objektiv qendror i përafrimit në BE është pikërisht forcimi i strukturave demokratike.

“Një objektiv qendror i përafrimit në BE është pikërisht forcimi i strukturave demokratike. Një shtyllë mbajtëse për këtë është një gazetari e pavarur dhe kritike. Rreth kësaj diskutova sot me përfaqësues të OJQ-ve shqiptare që merren me fushën e mediave.Në epokën e informacionit, gazetarëve dhe mediave të lira, si një “pushtet i katërt”, u duhet të luajnë një rol të rëndësishëm për t’u ofruar debateve sociale një platformë. Gazetarët investigativë kanë nevojë për liri dhe siguri, bazuar në ligjin ekzistues për punën e tyre. Së bashku ne duhet të kujdesemi për përmirësimin e kornizës ligjore për një gazetari të pavarur.

Në këtë kontekst, legjislacioni për mediat luan një rol të rëndësishëm. Unë po ndjek debatin aktual rreth projektligjeve për rregullimin e mediave online dhe kam marrë dijeni për rezervat e gazetarëve, shoqërisë civile por edhe të përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare si Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Mediave dhe Ambasadori i BE-së.

Është thelbësore që rregullimi i mediave online të bëhet në përputhje me standartet evropiane dhe praktikat e mira. Gazetarët kanë nevojë për hapësirë lirie të mjaftueshme dhe njëkohësisht për siguri ligjore. Unë i inkurajoj institucionet shqiptare, të rishikojnë projektligjet në koordinim të ngushtë me gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave.” tha Zingraf

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb