47-vjeçarja, Sabine Boghici, e cila u arrestua vjet për vjedhje parash, bizhuterish dhe vepra të artit nga nëna e saj e moshuar, ka vdekur.

Mediat e huaja shkruajnë se Boghici ka humbur jetën si pasojë e rënies nga ballkoni i katit të pestë i shtëpisë së saj në Rio de Janeiro, Brazil. 47-vjeçarja u gjet përtokë para shtëpisë së saj më 14 shtator, dhe u dërgua në spital ku humbi jetën prej plagëve.

Sipas autoriteteve braziliane, Boghici, dyshohet të ketë kryer vetëvrasje, pasi gjatë kontrollit të banesës së saj u gjet një shënim për bashkëjetuesen e saj Rose Stanesco, e cila është aktualisht në burg.

Boghici ishte bija e financierit Jean Boghici, një nga koleksionistët më të mëdhenj të artit në Brazil, i cili vdiq në 2015. Jean ishte një hebre i lindur në Rumani dhe kishte ardhur në Brazil me miq të tij bankierë në 1948.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vitin e kaluar ajo u arrestua bashkë me Stanesco si e dyshuar për vjedhjen e nënës së saj Genevieve Boghici, në rreth $140 milionë në formë veprash arti, bizhuterish dhe para të thata.

Policia e Rio de Janeiro tha se ajo kishte komplotuar kundër nënës së saj prej vitit 2020, kur me anë të personave të tjerë njoftonte se “ishte duke vdekur”. Ajo kishte dërguar te nëna e saj dy gra që pretendonin se ishin magjistare, dhe kishin bindur Genevieve të bënte pagesa “për të mbajtur në jetë një person te familjes”, për të cilin ato e kishin bindur se ishte në rrezik”. Boghici dërgonte gjithashtu lajme se trembej për mirëqenien e saj duke bindur nënën e moshuar të paguante rreth $1 milionë çdo 15 ditë. Genevieve qëndronte vetëm në shtëpi me kujdestarët e saj, por e kuptoi se diçka nuk shkonte me të bijën e saj dhe parashikueset e rreme të fatit që ajo i dërgonte.

Autoritetet zbuluan se Boghici dhe bashkëpunëtorët e saj kishin vjedhur 16 piktura nga Tarsila do Amaral e Emiliano Di Calvacanti me vlerë rreth $145 milionë, $1 milionë në vlerë bizhuterish dhe rreth $2.8 milionë në pagesa me para të thata.

Boghici u lirua me kusht në mars të vitit të shkuar por iu sekuestrua pasaporta dhe nuk mund të largohej nga Rio de Janeiro për më shumë se 10 ditë.

Shkaqet e vetëvrasjes së saj të dyshuar janë ende në hetim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb