Të huajt po zgjedhin gjithnjë e më shumë që pushimet e tyre t’i kalojnë në Shqipëri. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në muajin korrik të këtij viti kanë hyrë 1.2 milionë shtetas të huaj, krahasuar me korrikun e vitit 2018 ky numër është rritur me 14.5%.

INSTAT raporton se ndër vendet që kanë pushuesit më të lartë të shtetasve në Shqipëri janë vendet e rajonit si Kosova që ka pasur rritjen më të madhe me 25.5% duke u ndjekur nga Maqedonia, Greqia dhe Italia.  Në raport me vitin e kaluar numri i vizitorëve nga Kosova është rritur me afro 14% dhe ata përbëjnë rreth një të tretën e numrit të përgjithshëm të vizitorëve të huaj. Vizitorët nga vendet kufitare përbëjnë rreth 60% të numrit total të vizitorëve të huaj për këtë vit.

Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë vetëm për vitin 2018 turistët e huaj shpenzuan në Shqipëri afro 1.9 miliardë euro. Sipas Institutit të Statistikave uljen më të ndjeshme e ka pasur Polonia me 14.6%. E ndërsa të huajt po vijnë të shohin bukuritë e vendit tonë, shqiptarët po bëjnë të kundërtën. Turizmi dalës i shqiptarëve po rritet. Për muajin korrik sipas institutit të statistikave daljet jashtë vendit u rritën me 11%. Në udhëtimet e shqiptarëve dominojnë ato për pushime dhe vizita tek të afërmit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb