TIRANE- Instituti i statistikave ka publikuar sot të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin korrik, ku vihet re ulje e defiçitit tregtar me 8,3% krahasuar me një vit më parë si dhe ulje e eksporteve dhe importeve.

“Në muajin korrik 2016 eksportet e mallrave arritën vlerën 22 mld lekë, duke u ulur me 0,6% në krahasim me korrikun e 2015-ës dhe me 0,9% në krahasim me Qershor 2016. Importet e mallrave në muajin Korrik 2016 arritën vlerën 50 mld lekë, duke u ulur me 5,0% në krahasim me Korrik 2015 dhe me 4,3 % në krahasim me Qershor 2016. Deficiti tregtar i këtij muaji është 27 mld lekë, duke u ulur me 8,3% krahasuar me Korrikun e 2015 dhe me 6,9% në krahasim me Qershor 2016”,- sqaron INSTAT.

Behet me dije gjithashtu se, rënia vjetore e eksporteve prej 0,6 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -5,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,9 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0,6 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +6,1 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” kanë kontribuar me +0,5 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,2 pikë përqindje.

Ndërsa rënia vjetore e importeve prej 5,0% këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,9 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,03 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar pozitivisht grupi:“Tekstile dhe këpucë” me +1,0 pikë përqindje”, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,9 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +0,7 pikë përqindje.

Po ashtu, INSTAT sqaron se në muajin Korrik 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2015 janë: Italia me 1,9 %, Greqia me 23,9 % dhe Kina me 36,6 %. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Malta me 11,3 %, Kosova me 20,3 % dhe Gjermania me 5,3 %.

Në muajin Korrik 2016, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Korrik 2015 janë: Greqia me 18,3 %, Kina me 10,4 % dhe Gjermania me 1,1 %. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia me 6,9 %, Turqia me 17,1 % dhe Serbia me 24,5 %.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 70,5 % të gjithë tregtisë. Në Korrik 2016, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 80,7 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 65,9 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (37,8 %), Greqia (7,3 %), Kina (6,5 %) dhe Gjermania (6,1 %).
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb