TIRANE- Instituti i Statistikave ka publikuar sot të dhënat në lidhje me tregtinë e jashtme për këtë vit. Sipas këtyre të dhënave në muajin tetor eksportet e mallrave arritën vlerën 22 miliardë lekë, duke u ulur me 0.3% në krahasim me muajin tetor të një viti më parë dhe duke u rritur me 4.2% në krahasim me muajin shtator të 2014-ës.

Nga raporti rezulton se rënie më të madhe vjetore patën eksportet e grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, me 27.9%. Rritje më të madhe vjetore kanë patur eksportet e grupeve “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 33.7%; “Tekstile dhe këpucë” me 25.3% dhe “Lëkurët dhe artikujt prej tyre” me 23.7%.

Në muajin tetor 2014 importet e mallrave arritën vlerën 52 miliardë lekë, duke u rritur me 10.5 % në krahasim me tetorin e 2013-ës dhe 8.9% në krahasim me shtatorin e 2014-ës.

Rritje më të madhe vjetore kanë patur importet e grupeve: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 41.1%, “Produkte kimike dhe plastike” me 15.4% dhe “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 14.9%. Rënie më të madhe vjetore patën importet e grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 19.4%. Deficiti tregtar i këtij muaji është 29 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 20.4% krahasuar me tetorin 2013 dhe 12.6% në krahasim me shtatorin e këtij viti.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 69.4% të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (39. %), Greqia (7.3%), Kina (5.2%) dhe Turqia (5.0%).

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb