TIRANE- Ulja e eksporteve shqiptare në muajin korrik dhe rritja e importeve, ndikuan në rritjen me 23% të deficitit tregtar krahasur me një vit më parë. Në muajin korrik eksportet e mallrave u ulën me 2,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar duke arritur në vlerën e 22 miliardë lekë. Gjithashtu, eksportet u ulën 7,6% krahasuar me një muaj më parë, qershorin 2015.

Sipas INSTAT, importet e mallrave në korrik 2015 arritën vlerën 52 miliardë lekë, duke u rritur me 10,6 % në krahasim me korrik 2014 dhe 6,5 % në krahasim me qershor 2015. Deficiti tregtar në muajin korrik arriti në 30 mil;iardë lekë, duke u rritur me 23,0 % krahasuar me korrik 2014 dhe 20,3 % në krahasim me qershor 2015.

Ulja vjetore e eksporteve 2,6 % në korrik 2015 u ndikua kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -7,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” kanë kontribuar me -0,9 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” kanë kontribuar me -0,2 pikë përqindje.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ndikim pozitiv dhanë grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +3,4 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” kanë kontribuar me +2,2 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,3 pikë përqindje.

Në ndryshimin e rritjes me 10,6% ë importeve ndikim më të madh në korrik dhanë grupet kryesore në ndryshimin vjetor të importeve si: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” që u rritën me +4,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,7 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,2 pikë përqindje. Rënie pësuan grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,7 pikë përqindje , “Prodhime druri dhe letre” kanë kontribuar me -0,5 pikë përqindje.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: