TIRANË- Në tremujorin e tretë të vitit 2014, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 6.4 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Sipas raportit të publikuar sot nga Instituti i Statistikave, në grupin e tregtisë me pakicë pa përfshirë këtu tregtimin me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i tregtisë u rrit me 4.4 % kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.

Në këtë tremujor, në grupin “ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 10.1 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013, duke dhënë në këtë tremujor dhe kontributin më të madh në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë.

Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë për grupin e “produkteve jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtimin me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur në nivelin 5.0 % kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës.

Në tremujorin e tretë 2014, në grupin “tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 9.4 % krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2013, dhe 13.3 % krahasuar me tremujorin paraardhës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: