Të paktën deri para pak ko hësh, integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor është parë si një integrim rajonal. Kjo, për faktin se integrimi europian do të kërkonte pikësëpari kapërcimin e konflikteve të vjetra nacionaliste në rajon dhe krijimin e një fryme të re bashkëpunimi midis vendeve. Nga ana tjetër, vendet ballkanike janë vende me ekonomi relativisht modeste dhe pak a shumë me të njëjtat karakteristika e problematika të zhvillimit të tyre ekonomiko – shoqëror. Në këtë këndvështrim, integrimi i këtyre vendeve në Bashkimin Europian është konsideruar si një integrim rajonal. Në aspektin pragmatik, megjithëse Komuniteti Europian ka theksuar se “porta” për në BE për vendet ballkanike është e hapur, aktualisht reagimet populiste për kufizimin e pranimeve në BE, duket sikur e kanë shtyrë programin e pranimeve të reja, duke e konsideruar bashkëpunimin midis vendeve si një “shkollë” ose “paradhomë” të integrimit europian.


Në këtë kontekst duhet parë edhe iniciativa e procesit të Berlinit, startuar në 2014, e pasuar më tej me takimet në Vjenë, Paris, Trieste, Londër dhe së fundmi në Poznan 2019 (korrik 2019). Pas këtij samiti, pikërisht për zhvillimin dhe lehtësimin e integrimit rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vetëm vlera e grandit të projekteve për infrastrukturën e lidhjeve midis vendeve të rajonit arriti në më shumë se 880 milionë euro (nga viti 2015), me një vlerë investimi total me më shumë se 3.2 miliardë euro.


Në aspektin politik, të gjitha qeveritë e rajonit e kanë përkrahur dhe ndoshta “tejkaluar” këtë iniciativë. Në këtë kontekst ishte edhe propozimi në shkurt të vitit 2017 i ish-Kryeministrit serb në atë kohë, sot President i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili deklaroi synimin për krijimin e një bashkimi doganor me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky propozim, sipas tij, në atë kohë kishte gjetur mirëkuptimin e Kancelarit austriak, Kern, si dhe ishte diskutuar edhe me Kryeministrin e Bosnje-Hercegovinës, Zvizdic, bile edhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Rama.


Në aspektin ekonomik, zhvillimi i bashkëpunimit ndërrajonal apo maksimalisht krijimi i një zone tregtare të përbashkët, për vendet e Ballkanit Perëndimor me ekonomi relativisht të vogla, sigurisht do të ishte diçka mjaft pozitive. Avantazhet ekonomike do të lidheshin me krijimin e një tregu më të fuqishëm rajonal, me eliminimin e tarifave midis vendeve dhe unifikim e atyre me vendet e tjera, me reduktimin e kostove administrative të lëvizjes së mallrave etj. Megjithatë, duhet theksuar se ky integrim nuk do të ishte pa probleme dhe mund të sillte avantazhe apo disavantazhe relative për vende të veçanta.

Sidoqoftë, aktualiteti është mjaft larg këtij objektivi ekonomik, i cili ka pasur ndoshta më shumë doza të demagogjisë politike. Gjithsesi, në këtë këndvështrim të përgjithshëm duhet parë sot edhe presioni politik i SHBA-së dhe BE-së ndaj Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës doganore 100% ndaj mallrave të Serbisë, e cila u vendos në nëntor të vitit 2018 (në fakt, për të njëjtën arsye, edhe ndaj atyre të Bosnjë-Hercegovinës).

Por cili është në fakt realiteti në fushën e bashkëpunimit ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor në tërësi? Sa të prirura janë ato për bashkëpunimin ekonomik me njëra-tjetrën? Cili vend eksporton apo importon më shumë etj? Në këtë këndvështrim, ky artikull do të synojë në mënyrë sintetike të paraqesë, pikërisht zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë aspekt, sot një vend të veçantë zënë pa dyshim marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, sidomos pas vendosjes së taksës doganore 100% të Kosovës ndaj importeve serbe. Duke i shkëputur ato nga kuadri i përgjithshëm i marrëdhënieve ekonomike ndërballkanike, në artikull do të jepet një opinion për rolin dhe ndikimin e kësaj takse në ekonomitë e të dyja vendeve. Në çfarë raportesh janë marrëdhëniet tregtare midis Kosovës dhe Serbisë? Çfarë peshe ka taksa, parë kjo jo vetëm politikisht, por edhe në aspektin ekonomik.

Së pari, duhet të theksojmë se të dhënat tregojnë për një prirje të vazhdueshme në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me ekonominë botërore. Në dhjetë vitet e fundit (1995–2015), indeksi i hapjes së ekonomisë, (openness index -vëllimi i eksporteve dhe importeve në raport me PBB), si për vendet e veçanta ashtu edhe për rajonin në tërësi, është rritur nga 24 % në 64%. Pra, duke e supozuar rajonin si një të vetëm dhe duke marrë parasysh vetëm marrëdhëniet tregtare me vendet e tjera “jashtë tij”, rritja e indeksit, që karakterizon hapjen e rajonit, është e konsiderueshme. Njëkohësisht, marrëdhëniet midis vetë vendeve të rajonit, në aspektin e ritmeve, janë më të larta se ato të këtyre vendeve me vendet e tjera. Në 15-vjeçarin e fundit, të dhënat tregojnë se eksportet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor u rritën me rreth 3,5 herë, ndërsa ato me vendet “jashtë rajonit” me rreth 2,6 herë, ndërsa për importet rritja ishte përkatësisht 3,2 dhe 1,6 herë. Në pesë vitet e fundit, tregtia ndërrajonale e mallrave është rritur nga 3.6 miliardë euro në vitin 2014, në 4.8 miliardë në vitin 2018, ose rreth 33% më shumë. Gjithsesi, në masë absolute, si në eksporte, edhe në importet, tregtia e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor me vendet e treta pa dyshim zë peshën më të madhe: me vendet e tjerë, rajoni i Ballkanit Perëndimor shkëmben rreth 82 % të totalit të eksporteve dhe rreth 90% të totalit të importeve. Nga ana tjetër, procesi i Berlinit i iniciuar në 2014, në veçanti projektet infrastrukturore si një pikë mjaft e rëndësishme e tij, pa dyshim do t’i japin një nxitje ekonomike më domethënëse bashkëpunimit ndërrajonal.

Aktualisht, duhet thënë se të gjitha vendet e rajonit janë vende importuese neto, pra, importojnë më shumë sesa eksportojnë. Por, duke u kufizuar vetëm në marrëdhëniet tregtare midis tyre, pra, brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të theksojmë se vetëm Serbia dhe Shqipëria janë eksportuese neto, pra, eksportet e tyre ndaj vendeve të tjera në rajon janë më të mëdha sesa importet. Konkretisht, Serbia me vendet e tjera të rajonit paraqet një bilanc tregtar pozitiv prej rreth 2.3 miliardë USD, ose rreth 4-5% të PBB të saj (2018), ndërsa Shqipëria rreth 45 milionë euro, ose rreth 0.5% të PBB të vendit (2018). Serbia rreth 18-19% të eksporteve të saj i zhvillon me vendet CEFTA (vendet e Ballkanit Perëndimor plus Moldavia), ndërsa për importet serbe ky tregues është rreth 5 – 6% të totalit. Ndërsa Shqipëria eksporton në këto vende rreth 14 % të eksporteve të saj dhe afërsisht 5% të importeve.

Kosova, nga ana tjetër, është vendi që ka një bilanc më negativ në tregtinë e jashtme me vendet e rajonit, me rreth 679 milionë usd më shumë importe se eksporte, ose rreth 6 – 8% në raport me PBB e saj (2018).

Në këtë kuadër të përgjithshëm, një rol specifik në rajon luajnë sot marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Një nga shfaqjet më të prekshme të tyre është ajo e taksës doganore, vendosur nga qeveria e Kosovës ndaj importeve serbe. Sigurisht, vendosja e taksës erdhi si pasojë e pengesave dhe politikës obstruksioniste të Serbisë ndaj njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Por çfarë roli ka kjo “taksë”? Është ajo më shumë një masë me karakter politik, apo ka një peshë të veçantë edhe në ekonomi? Cili është impakti i saj në ekonominë e Serbisë? A mund të mendohet që Serbia, nisur nga taksa doganore, të tërhiqet sadopak nga politika e saj mohuese ndaj Kosovës?

Të dhënat tregojnë se Serbia normalisht eksportonte në Kosovë rreth 420 milionë euro në vit dhe importonte rreth 40 milionë euro. Nga nëntori 2018, kur Kosova vendosi taksën doganore 100%, eksportet serbe janë reduktuar me rreth 90-95% të nivelit të tyre normal, duke shkaktuar, sikurse thuhet, një humbje prej rreth 40 milionë eurosh në muaj për ekonominë e vendit. Sidoqoftë, duhet thënë se Kosova nuk përbën një partner të rëndësishëm për marrëdhëniet tregtare të Serbisë, të paktën relativisht me vende të tjera të rajonit. Eksportet Serbe ndaj Kosovës kanë zënë normalisht rreth 2 – 2.5% të totalit të eksporteve të saj, ndërkohë kur ato ndaj Bosnja-Hercegovinës zënë rreth 7.4%, Malit të Zi rreth 4% dhe Maqedonisë së Veriut 3,4%. Në rajon, eksportet e Serbisë ndaj Kosovës zënë rreth 13 % të volumit të tyre (2018), ndërkohë kur ato ndaj Bosnjë-Hercegovinës zënë 40%, Malit të Zi 23%, Maqedonisë 19%. Në këtë drejtim, Kosova është “përpara” vetëm ndaj Shqipërisë, e cila importon nga Serbia vetëm 4-5% të totalit të eksporteve serbe në rajon. Konkretisht, Kosova renditet si partner i 13-14-të në listë e vendeve eksportuese të Serbisë. Tabloja e këtyre shifrave, sipas analistëve, sintetizohet në fund të fundit në rënien e PBB të Serbisë në vitin 2019, me rreth 0.6-0.7%.

Nga ana tjetër, duhet thënë se importet e Kosovës nga Serbia, deri pak kohë më parë, zinin rreth 18 – 19% të totalit të importeve të Kosovës, duke e renditur Serbinë si partner i parë tregtar, bile përpara RFGJ, Turqisë, Italisë etj. Ndërsa në tregtinë rajonale, ato zinin rreth 46% të importeve kosovare, pra, afërsisht 1/2 e mallrave të importuara nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që Kosova importonte nga Serbia (2018). Vendosja e taksës e ndryshoi këtë strukturë, pasi vendin e eksporteve serbe të munguara, e zunë importet nga vendet e tjera, kryesisht Sllovenisë, Turqisë, Izraelit, por edhe vetë prodhimit vendës. Sidoqoftë, vendosja e taksës ishte një masë politiko – administrative dhe si rezultat ajo do të shoqërohej normalisht edhe me një kosto shtesë në ekonomi. Kjo kosto, e cila aktualisht është vështirë të matet, sipas analistëve është reflektuar në rritjen e çmimeve, kryesisht të mallrave të konsumit. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në korrik të vitit 2019, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u rrit 2,6 % në krahasim me korrikun e një viti më parë dhe kjo kryesisht si rezultat i rritjes së çmimit të bukës dhe drithërave, çmimet e të cilave u rritën me 14%.

Duke pasur parasysh këto marrëdhënie ekonomike Kosovë – Serbi, vendosja e taksës doganore, në fakt, në kuptimin e ngushtë ekonomik, përbën një “sakrificë” për vetë shtetin e Kosovës. Sigurisht, politikisht ajo mund të jetë plotësisht e justifikueshme, si një politikë për sjelljen me dinjitet ndaj një vendi, i cili megjithëse vazhdon bashkëpunimin ekonomik, ndjek një politikë penguese ndaj njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë këndvështrim, taksa doganore ka një përmbajte kryesisht politike dhe reagimet që bëhen rreth saj, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Serbia, në thelb janë më shumë politike sesa ekonomike. Heqja e saj, pa asnjë reagim pozitiv nga pala tjetër, sot mund të shihet jo thjesht si një përfitim ekonomik i Serbisë, por më shumë si përfitimi i një avantazhi politik në marrëdhëniet e saj me Kosovën.

*Autori është pedagog në KU “Luarasi”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb