Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se integrimi europian nuk është një favor politik i radhës për mazhorancën, por një mundësi historike për të transformuar vendin për shqiptarët.
Ajo thekson se fatkeqësisht, qeveria aktuale e sheh këtë proces si një mjet për përfitime politike afatshkurtra, jo si një angazhim për të përmirësuar jetën e shqiptarëve. Tabaku shprehet se Europën e shohin si një fasadë, jo si një objektiv real për të ardhmen e vendit.
“Shqipëria është gjeografikisht Europë, por detyra e çdo politikëbërësi është ta bëjë atë Perëndim përmes vlerave që ajo mbart. Për të arritur këtë, vendit i nevojitet një angazhim serioz për të ndërtuar një shtet të së drejtës, jo një fasadë të maskuar me retorikë politike.
Ndërkohë që është një vlerë sot për Shqipërinë që opozita mbështet procesin e integrimit dhe e ka treguar këtë sa herë ka qenë nevoja, procesi duhet të jetë i hapur me ndryshime reale.
Reformat duhet të jenë thelbësore, të hapura dhe transparente. Procesi i integrimit nuk mund të mbetet i bunkerizuar, larg shoqërisë civile dhe qytetarëve. Shqipëria nuk ka nevojë për fjalime të bukura, por për veprime konkrete”, thekson Tabaku.
Sipas deputetes demokrate, Konkluzionet e Këshillit duhet të lexohen ashtu si janë, duke theksuar mungesën e gjithëpërfshirjes politike në procesin e integrimit, nevojën për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse për të adresuar shqetësimet e OSBE-ODIHR, shqetësimet për moszbatimin e vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese, mungesën e lirisë së medias, lirisë së shprehjes dhe nevojën për pavarësi mediatike.
“Parlamenti shqiptar është kthyer në një noter të interesave të një grupi të vogël, duke shpërfillur parimet kushtetuese dhe sundimin e ligjit. Ndërsa kryeministri flet për Kapitullin 6 të negociatave, rezolutat dhe nismat që mund të sillnin investime të huaja cilësore mbahen në sirtar për shkak të mungesës së vullnetit politik.
Integrimi europian nuk është një favor politik i radhës për mazhorancën, por një mundësi historike për të transformuar vendin për shqiptarët. Fatkeqësisht, qeveria aktuale e sheh këtë proces si një mjet për përfitime politike afatshkurtra, jo si një angazhim për të përmirësuar jetën e shqiptarëve. Europën e shohin si një fasadë, jo si një objektiv real për të ardhmen e vendit.
Ne besojmë se Shqipëria mund të jetë lider në Ballkanin Perëndimor dhe model i integrimit të suksesshëm. Por për këtë, na duhet transparencë, reforma dhe një qeveri që i shërben qytetarëve, jo interesave të ngushta politike”, thekson Tabaku.