TIRANË- Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka zhvilluar sot një konferencë të përbashkët me homologun e Sllovakisë, Miroslav Lajçak, me të cilin ka firmosur edhe një marrëveshje bashkëpunimi.

Në fjalën e tij Bushati deklaroi se Shqipëria duhet të përfitojë nga eksperienca sllovake në procesin e integrimit.

“Kemi një Nivel të mirë të marrëdhënieve që po thellohen në vijimësi përmes programeve të shkëmbimit në fusha të ndryshme. I shpreha falënderimet për ndihmën solidare të ofruar për përmbytjet. Sllovakia mbetet një mbështetëse e palëkundur në proceset e integrimit. E kemi ndjerë këtë mbështetje. Ne do donim të kishim prezencë të investimeve sllovake, do donim të mësojmë më tej nga eksperienca e tyre për rrugën e anëtarësimit në BE”, -u shpreh ministri.

“Energjia e infrastruktura janë fushat ku vendet tona kanë interes të përbashkët për bashkëpunim”, – tha më tej Bushati.

Bushati nënvizoi më tej se po punon me Lajcak për të realizuar vizitën e kryeministrit Rama në Sllovaki.

Ndërsa Lajcak në fjalën e tij e konsideroi Shqipërinë aleatin kyc në rajon, vend i cili do ketë mbështetjen dhe asistencën sllovake.

“Ne kryesisht u fokusuam në marrëdhëniet dypalëshe, jemi miq dhe aleatë të mirë. Ndjehemi shumë të kënaqur që shikojmë intensitet në rritje të marrëdhënieve. Ne sot patëm mundësinë të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi dhe 3 të tjera na presin. Po punojmë për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Sllovaki që të nxisë e inkurajojë bashkëpunimin. Duke u nisur nga përvoja e vendit tim, them se ju po bëni gjënë më të mirë, ndërsa ne po ju asistojmë si një partner kryesor dhe kyç në rajon. Këtë po e bëjmë me programe dhe projekte të zhvillimit sllovak”, tha Lajcak.

Përsa i përket integrimit, Lajcak inkurajoi të gjithë aktorët në vend, qofshin politikë apo jo, të bëjnë të pamundurën që Shqipëria të përparojë shpejt.

“Përsa i përket integrimit, puna kryesore duhet të bëhet këtu. Integrimi duhet të jetë mbi çdo lloj interesi qofshin këto politike. Ndaj dëshirojmë të nxisim dhe inkurajojmë të gjithë aktorët të bëjnë të pamundurën që Shqipëria të ecë më parë drejt BE. Kam mirëpritur kthimin e opozitës në parlament. Në demokracitë evropiane parlamenti është i vetmi vend legjitim për debatet politike. Falënderoj Shqipërinë për rolin konstruktiv dhe bashkëpunimin në gjithë rajonin”, shtoi Lajcak.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: