Pak muaj nga vendimi i Këshillit Europian për çeljen ose jo të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, thotë se ende nuk ka një qëndrim konkret nga vendet anëtare.

“Vendimi për shtyrjen e raportit nga ana e komisionit jo detyrimisht do të manifestohet në shtyrje të vendimit politik për hapjen e negociatave. Ajo çka ne mbesim shpresëplotë është që vullneti i vendeve të këshillit do të formohet dhe bazohet në gjetjet e komisionit në rast se komisioni me fjalë të tjera do të rekomandojë hapje të pakushtëzuar të negociatave, bazuar në meritat e Shqipërisë. Presim që vendimi i Këshillit të jetë i bazuar mbi këto konsiderata”, deklaroi Cakaj.


Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ai theksoi nevojën e kontakteve me vendet anëtare për t’i bindur që të mbështesin çeljen e negociatave.

Zëvendëskryetari i Këshillit Taulant Balla theksoi se Kuvendi duhet të përqendrohet tek mbikëqyrja e reformave që lidhen me 5 prioritetet për hapjen e negociatave.
“Jemi të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë e momentit aktual të procesit të integrimit europian, i cili kërkon së parë thellimin e momentit aktual të reformave për të konsoliduar më tej progresin e bërë në reformën në drejtësi dhe për të vijuar me përçimin e rezultateve konkrete dhe prioritete të tjera si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike dhe mbrojtja e lirive dhe të drejtave themelore”, theksoi Balla.

Balla tha se procesi ‘screening’ i filluar në shtator të vitit 2018, ka vijuar të ecë me ritmin e duhur si dhe është ngritur struktura negociatore shtetërore përgjegjëse për koordinimin dhe mbarëvajtjen e bisedimeve të anëtarësimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb