Integrimi i Shqipërisë në BE nuk është një gjetje e politikës së jashtme, por një kërkesë që vjen nga dëshira e popullit Shqiptar të bëhet pjesë e qytetërimit perëndimor. Përpara së gjithash ky është një proces politik, domosdoshmërisht i nevojshëm, për të përcaktuar të ardhmen perëndimore të Shqipërisë. Ky proces nuk përcaktohet paraprakisht nga faktorët e jashtëm gjeopolitikë, por bazohet kryesisht në vullnetin politik për të arritur një objektiv të tillë. Frika nga Putini dhe revizionizmi që kërkon regjimi i tij ti bëjë rendit botëror të bazuar në ligj, sjell si rezultat kthimin e vëmendjes së BE-së ndaj një rajoni problematik, ku demokracia ka shkarë nga shinat, shteti i së drejtës i shpartalluar dhe regjimi i bandave përcakton rregullat e lojës.
Sa të jetë frika nga Putini, Europa mund të të sigurojë arkitekturën e mbrojtjes, por jo të të pranojë në gjirin e saj kur je shumë problematik. Sepse Perëndimi ngrihet mbi vlera dhe parime të mirë-përcaktuara dhe jo integrim të vendeve ku krimi lulëzon me politikën, mafia pastron paratë dhe persekutimi i opozitës bëhet në funksion të garantimit të pushtetit të autokracisë.
Integrimi Europian i Shqipërisë do të arrihet vetëm kur faktori i brendshëm të arrijë të realizojë një demokraci funksionale dhe pavarësi të institucioneve, crrënjosje të korrupsionit që shfaqet në të gjitha nivelet më të larta të qeverisjes, kur drejtësia ti shërbejë qytetarit dhe jo politikës, kur administrata civile ti shërbejë interesave të shtetit, kur zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme dhe mos deformohen nga bandat dhe krimi i organizuar.
A i plotëson Shqipëria kushtet për tu bërë pjesë e BE-së? Sigurisht që jo në asnjë nga kriteret kryesore që përbëjnë bazën e përfshirjes në familjen Europiane. Regjimi i Ramës ka zgjedhur të kthejë Shqipërinë nga një regjim hibrid-demokratik në një autokraci të mirëfilltë putineske që nuk ka asgjë të përbashkët me BE-në. Për më tepër kur kohët e fundit kemi vënë re një regjim lapangjoz që nuk ruan dot as sovranitetin e tij përpara fuqisë së Padishahut të Madh.
I diskretituar në të gjitha lëvizjet e tij klienteliste dhe puthadorëse, del në pah diplomacia ‘krijuese’ e autokratit Rama e mbështetur në dy kolona propagandistike:
Së pari, Shqipëria është gati të futet në Europë, por ka vende europiane të cilat e pengojnë atë si rezultat i politikave të tyre të brendshme. Në fillim ishin Hollanda, Franca, Danimarka, por në fakt sot numri i vendeve skeptike për progresin e Shqipërisë janë rritur. Pavarësisht se ai kërkon ta delegojë fajin tek të tjerët, janë politikat e tij të brendshme dhe projektet e tij të jashtme, si ndryshimi i kufijve apo Ballkani i Hapur, që kanë ngritur dyshimin në BE për mos seriozitetin e tij.
Së dyti, Politika e Jashtme e Ramës mbështetet në qëndrimet klienteliste korruptive në blerjen e influencës politike në vendet perëndimore, duke ju shërbyer në realizimin e politikave të tyre të brendshme deri në dhënien e sovranitetit të Shqipërisë. Të tilla mund të përmendim projektin famëkeq Rama-Meloni për emigrantët e paligjshëm, rikthimi i shqiptarëve nga Britania e Madhe në funksion të fushatës elektorale të ish-kryeministrit Sunak, marrja e afganëve, muxhahedinëve iranianë, trajtimin e zonave detare ekskluzive me Greqinë, frymëzimin që ndjen nga Orbani dhe modelin e tij, deri në dhënien e pronave shqiptare si Sazani për blerje të influencës politike.
Kjo politikë klienteliste bëhet me qëllimin e vetëm që shtetet perëndimore përfituese ti japin dicka në shkëmbim. Dhe hapja e negociatave është një kërkesë e tij për shërbimet që ka bërë.
Rama as nuk e mundëson integrimin europian, as nuk ka për qëllim ta cojë Shqipërinë drejt BE-së. Ai e di që korrupsioni i tejskajshëm, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies, shpërdorimit të fondeve publike dhe atyre europiane etj., etj., e bëjnë atë të pakualifikueshëm për BE-në. Por ai kërkon për konsum të brendshëm të vazhdojë procesi për t’ja shitur popullit si një objektiv që do të arrihet dhe hapjen e kapitujve si përfundim të procesit dhe jo fillim të tij. Ai kërkon ta shesë këtë arritje si fitore për zgjedhjet parlamentare të 2025 dhe të kërkojë mandatin e tij të katërt. Për Ramën pushteti deri në 2030 është parësor dhe pastaj të shohim se cfarë do bëjmë në funksion të zhvillimeve gjeopolitike në botë dhe çfarë mund të ndryshojë në të ardhmen.
Retorika e Ramës në Luksemburg për hapjen e kapitujve për Shqipërinë në procesin e integrimit europian tregonte si megallomaninë e tij si lider global duke përmendur vende dhe udhëheqës të ndryshëm botërorë, por edhe vetë sigurinë e tij se mund të luajë dhe blejë influencë në një Europë të lodhur. Ai fliste ne Luksemburg si një europianist i thekur, pasi ishtë bekuar nga Padishahu i Madh disa ditë përpara në një ceremoni në turqisht në mes të Tiranës si Aga i devotshëm otoman.
Por një gjë ëshë e qartë, që atë nuk e lidh asgjë me BE-në, përveçse retorika e tij e shfrenuar pro-europiane. E mjera Shqipëri që po humb të ardhmen e saj perëndimore.
Nuk do të jetë e largët dita kur në konferencat europiane Ai nuk do të mbrojë më politikat anti-sanksione të Vucic për Rusinë, por do ta orientojë Europën për modele të tjera frymëzuese të vendeve lindore.
Doni prapë nënshtrim? Reagoni.
O sot o kurrë!
(BalkanWeb)