Shërbimet e inteligjencës hungareze e kanë marrë në pyetje disa herë shefen ekzekutive të “BAC Consulting”, një kompani me bazë në Budapest, e lidhur me shpërthimet vdekjeprurëse të pejxherëve të përdorur nga anëtarët e Hezbollahut këtë javë, ka bërë të ditur qeveria hungareze të shtunën.

Firma tajvaneze e pejxherëve “Gold Apollo” ka thënë të mërkurën se modeli i pejxherëve të përdorur në shpërthimet në Liban ishte bërë nga “BAC Consulting”, duke shtuar se ajo kishte licencuar vetëm markën e saj për kompaninë dhe nuk ishte e përfshirë në prodhimin e pajisjeve, raporton Reuters.

Cristiana Barsony-Arcidiacono, 49 vjeçe, shtetase italo-hungareze dhe pronare e “BAC Consulting”, i ka thënë “NBC News” në fillim të kësaj jave se komapnai e saj ishte “thjesht ndërmjetësuese”.

Agjencitë hungareze të inteligjencës kanë kryer hetimet e tyre që nga e mërkura dhe kanë intervistuar disa herë Barsony-Arcidiacono, ka bërë të ditur në një deklaratë zyra ndërkombëtare e shtypit e qeverisë hungareze.

Qeveria e kryeministrit Viktor Orban ka thënë gjithashtu më herët se BAC Consulting ishte “një kompani tregtare-ndërmjetëse, e cila nuk ka asnjë vend prodhimi ose vend tjetër operimi në Hungari”.

Në dy ditë sulmesh, të martën dhe të mërkurën, shpërthyen pejxherët dhe radiolidhjet e përdorura nga anëtarët e Hezbollahut.

Numri total i të vdekurve në ato sulme është rritur në 39 dhe më shumë se 3,000 u plagosën. Sulmet besohet se janë kryer nga Izraeli, i cili as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar përfshirjen e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb