NGA JETON SELIMI

Derbi i shumëpritur i Italisë mbyllet në barazim pa gola, edhe pse ritmi dhe spektakli nuk ka munguar. Trajneri i Interit, Mançini kërkonte me çdo kusht fitoren për të marrë kreun, ndërsa Juventusi synonte tri pikët për t’u afruar me vendet e para. Por, fitorja ka mbetur thjesht ëndërr për të dy trajnerët, të cilët nuk kanë shkuar dot më shumë se shtylla. Interi në pjesën e parë ka qenë i pafat, pasi goditja e Brozoviç ka përfunduar në traversë, ndërsa pas pushimit, i pafat është Juventusi, i cili godet shtyllën me Sami Kedirën. Gjatë 90 minutave ritmi nuk ka munguar, ku Juventusi dhe Interi kanë krijuar të njëjtin numër rastesh, por finalizimet e dobëta ia kanë mohuar avantazhin të dyja skuadrave.

Në fund, ndeshja më e bukur e javës së tetë në Serinë A, “Derbi i Italisë” është mbyllur në “paqe”. Barazimi kënaq rivalët në garën për titullin kampion, e cila sa vjen dhe po bëhet më e zjarrtë. Napoli zbret me këmbë në tokë Fiorentinën dhe hedh kandidaturën si një nga skuadrat pretendente për titullin në Serinë A. Në “San Paolo”, Hysaj me shokët e tij triumfuan me rezultatin 2-1 ndaj Jeton Selimi vjollcëve të Paulo Souzas, duke i shkaktuar humbjen e parë Fiorentinës në kampionat pas 6 fitoresh radhazi si dhe disfatën e dytë sezonale.

Vijon në këtë mënyrë ecuria pozitive për Napolin që mes Serisë A dhe Europa Leagues siguroi suksesin e 6-t në 7 ndeshjet e fundit. Sfida nisi me një lojë më të mirë të Napolit, por në fraksionin e parë skuadra e Maurizzio Sarrit nuk arriti të konkretizonte shanset që iu paraqitën. Gjithsesi, kur kishin kaluar vetëm pak sekonda nga fillimi i pjesës së dytë të kaltrit gjetën golin e avantazhit me njeriun e momentit, Lorenco Insinjen. Sulmuesi italian përfitoi nga një pasim perfekt i Marek Hamshikut, duke i shpëtuar mbulimit të Tomoviçit për të mposhtur në fund Tatarusanun me një goditje të bukur tokazi.

Goli i disavantazhit nuk demoralizoi Fiorentinën, që në minutën e 73-të barazoi shifrat me Kaliniçin. Bomberi kroat përfitoi nga përgjumja e mbrojtjes së Napolit, duke mposhtur Reinan pas asisti perfekt të Iliçiçit. Ky ishte goli i 5-t për Kaliniçin në kampionat, 1 më pak se Inisnje, Higuan e Eder që kryesojnë listën e golashënuesve. Për t’i dhënë tri pikë shumë të rëndësishme Napolit dhe për të ngritur peshë stadiumin San Paolo, mendoi “El Pipita”, Gonzalo Higuain. Vetëm 2 minuta më pas argjentinasi bëri gjithçka në mënyrën më të mirë duke kaluar sërish në epërsi napolitanët.

Deri në fund shifrat nuk ndryshuan më me Napolin, që u ngjit në kuotën e 15 pikëve. Pa Biglian dhe Parolon, por me Klosen në formacion që nga minuta e parë Lacio dështoi të merrte pikë përballë Sassuolos në “Mapei Stadium”. Skuadra e Di Françeskos fitoi 2-1 me finalizimet e Berardit nga pika e bardhë e penalltisë dhe Misirolit. Ndërkohë goli i Felipe Andreson i vlejti vetëm për statistika Lazios. Në ndeshjet e tjera të javës së 8-të, Verona barazoi 1-1 me Udinexen, Bolonja u mund 0-1 në shtëpi nga Palermo, Atalanta kaloi 3- 0 Karpin, Frozinone mposhti 2-0 Sampdorian ndërsa Xhenoa triumfoi 3- 2 përballë Kievos.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: