Inter është finalisti i parë i Superkupës së Italisë. Zikaltërit kaluan pa shumë probleme Atalanta-n, triumfuan në shifrat 2-0, por rezultati mund të ishte edhe më i thellë nëse nuk do të ishte për një super Carnesecchi që mbajti bergamaskët në lojë, mbi të gjithë në pjesën e parë ku u bë pengesë për Lautaro-n me shokë.

Në pjesën e dytë, stafetën e mori Dumfreis, me holandezin që u “tërbua” duke realizuar një “dopietë” golash. Në minutën e 49-të, anësori zikaltërit me një veprim akrobatik brenda në zonë zhbllokoi rezultatin, ndërsa në minutën e 61-të me një goditje shumë të bukur dyfishoi shifrat.

Një minutë më pas, Gasperini hodhi në fushë edhe kapitenin kuqezi, Berat Gjimshiti. Atalanta flirtoi me golin në minutën e 72-të, Ederson arriti më në fund të dërgonte sferën në rrjetë, por gjyqtari i takimit me ndihmën e sistemit VAR anuloi gjithçka për pozicion jashtë lojë. Pak më vonë, Berat Gjimshiti i shkoi shumë pranë golit të avantazhit, por në dy momente u ndal nga portieri Sommer duke bërë që rezultati të mbetej i pandryshuar, me Inter që “fluturon” në finale.

I vetmi detaj negativ për zikaltërit, ishte mungesa e golit nga ana e kapitenit Martinez, por Inzaghi u shfaq i kënaqur me atë që ekipi i tij dhuroi në këtë takim: “Duhet ta kishim mbyllur më herët, por pas një paraqitje të tillë është e vështirë t’i kërkosh llogari djemve. Jam shumë i lumtur, nuk është kurrë e lehtë të japësh gjithçka në fushë pas udhëtimeve të tilla, pas një kalendari të ngjeshur dhe kundër një rivali me shumë vlera”, u shpreh Inzaghi.

Nuk e priti mirë këtë humbje trajneri Gasperini i cili në përfundim të ndeshjes u ndal duke bërë moviolë teksa shtoi se vetëm në golin e parë kishte tre momente që duhej anuluar, nuk ishte goditje këndi, De Vrij ishte pozicion jashtë lojë dhe Dumfreis shkaktoi faull.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb