2 humbje në 3 ndeshjet e fundit në Serie A janë shifra që shqetësojnë jo pak ambientin zikaltër. Vetëm 1 pikë në 3 ndeshje i “rrinë ngushtë” një ekipi si Inter që edhe këtë sezon synon titullin kampion. Ndaj Juves ishte humbje e 5 në 36 ndeshje këtë sezon, ndërsa një vit më parë Inter pësoi 4 humbje në total në 49 ndeshje. Është e qartë që problemi më i madh i Inter këtë sezon, të paktën në Serie A, është faza mbrojtëse pasi në 25 ndeshje kanë pësuar 24 gola, shumë ndryshe nga Champions League, ku në 8 ndeshje në Fazën e Ligës pësuan vetëm 1 gol.
Një tjetër problem i papritur këtë sezon kanë qenë ndeshjet direkte, fakt që edhe Inzaghi e pranoi pas Derbit të Italisë. Sigurisht që nuk ka vend për dramë, fundja Inter ndodhet vetëm 2 pikë larg Napolit kryesues, por Conte dhe ekipi i tij janë në horizont pasi kalendari i rezervon në “Maradona” një përballje direkte pas 2 javësh, një sfidë që pritet të vendos jo pak mbi fatet e titullit kampion.

Në kushte të tilla, për t’i dalë në krahë trajnerit dhe lojtarëve ka menduar kupola e ekipit. Nga CEO i përgjithshëm, Beppe Marota për të vijuar te Ausilio, Zanetti etj, të gjithë zbarkuan në Milano jo për të qortuar ekipin, por për t’i qëndruar pranë në këtë moment të vështirë, të bindur se situata mund të ndryshojë shumë shpejt.