Massimo Moratti, ish-presidenti i Inter-it, ka dhënë një intervistë për Radio Kiss Kiss Napoli. Ja çfarë tha ai lidhur me gjendjen e skuadrës së Inzaghit si dhe objektivat e zikaltërve këtë sezon:

“A e kam nostalgji Lukakun? Inter-i është në një pozicion të mirë për momentin. Ka sulmues të shkëlqyer, por Lukaku gjithmonë të bën punë edhe kur nuk është në 100% të formës.

Sa i përket alarmit të Cairos për financat e skuadrave të Serie A? Thirrja e Cairo-s nuk duhet nënvlerësuar. Asgjë nuk ka ndryshuar nga koha ime. Për ekipet e mëdha ka qenë gjithmonë kështu: kosto më të larta se të ardhurat. Në aspektin e menaxhimit të financave dhe rezultateve sportive, Napoli është një shembull për t’u ndjekur. Ata janë bërë sërish një ekip i madh falë një menaxhimi të kujdesshëm të financave.

Nëse do të mund të ndryshoja historinë me Maradonën te Inter-i dhe Ronaldon (Fenomenin) te Napoli? Ronaldon e dua shumë. Me Diegon ishim miq dhe ai gjithmonë ka qenë korrekt dhe i sjellshëm me mua, e kam vlerësuar gjithmonë. T’i bashkoje të dy do të ishte fantastike, por në fund jam krenar që e solla Ronaldon te Inter-i.

Conte dhe VAR-i? Conte nuk gaboi në ato deklarata për VAR-in. Nëse VAR-i ekziston, duhet të funksionojë mirë. Në disa situata që lidhen me penalltitë, më vjen për të qeshur. Duhet të eliminojmë disa gabime interpretimi.

Nëse do të kishte qenë VAR-i në kohën e kontaktit Ronaldo-Iuliano? Për të qenë i sinqertë, mendoj se edhe me VAR-in do të kishte qenë një arbitër aty dhe nuk kam shumë besim se, edhe me ndihmën e teknologjisë, do të na jepnin penallti. Në atë kohë, arbitrat ishin të anuar nga një anë e caktuar.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: