Rinovimi i Edin Xhekos me Romën ishte një goditje për Interin, pasi komplikon shumë planet e zikaltërve në merkato. Interi shpresonte shumë që të mbërrinte te boshnjaku duke futur në tratativë Ikardin, ndërsa tanimë i duhet të shohë gjetkë për një sulmues alternativ dhe të shpresojë që Ikardi të sistemohet te një ekip mes Juventusit dhe Napolit, që janë dy opsionet e mbetura për argjentinasin.

Napoli ka vendosur në pjatë 60 milionë euro për kartonin e argjentinasit, ndërsa kanë qenë të shumtë lojtarët që e kanë telefonuar Mauron për t’iu bashkuar atyre. Por 26-vjeçari nuk duket i bindur pasi shpreson shumë te Juventusi. “Zonja” ka nevojë për kohë, kohën e nevoshme për të shitur Dibalën, pasi duket se Higuain do të mbetet në Kontinasa nën urdhrat e Sarrit. Pista PSG mbetet e gjallë, por parizienët nuk kanë ndërmend të lëvizin nëse Nejmar nuk shitet.

Interi nga ana tjetër nuk duket se ka ndërmend të presë shumë dhe në Torino e çon ish-kapitenin vetëm në këmbim të Dibalës, lëvizje që mund të konkretizohet në orët e fundit të merkatos nëse Ikardi-Napoli nuk do të niste si tratativë. Pavarësisht se klubet i kanë raportet e ngrira, kjo do t’u lejonte që të arkëtonin plusvalenca të rëndësishme dhe të zgjidhnin dy telashe.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb