Roma vazhdon të jetë rivali i vetëm i Juventusit në garën për titullin e Serisë A edhe për këtë sezon. Në kryendeshjen e javës së 13-të, kryeqytetasit mposhtën Interin me rezultat 4-2. Në ndeshjen e zhvilluar në Stadio Olimpico, seria e golave u hap në minutën e 21-të kur Gervinho shënoi pas ndërhyrjes së Adem Ljajic.

Një harkim nga këndi të Kuzmanovic e priti në zonë Andrea Ranocchia dhe me kokë barazoi rezultatin (36’). Spektakolar ishte Jose Holebas në fillim të gjysmës së dytë (47’). Ai i kaloi disa lojtarë zikaltër para se të shënonte. Rezultati u barazua përsëri. Ishte ish-futbollisti romak, Pablo Daniel Osvaldo, i cili pranoi një top nga Dodo para se të shënonte (57’). Megjithatë, Giallorossët e kthyen shumë shpejt epërsinë.

Gervinho u bëri telashe mysafirëve nga e djathta, para se të pasonte te Totti, i cili e mbrojti topin dhe asistoi te Miralem Pjanic. Goditja e boshnjakut u ndal në rrjet (70’). Vendasit vazhduan të luanin më mirë, madje pati edhe një kërkim penalltie, por arbitri nuk mendoi ashtu. Dhe në minutat shtesë (90’+2), Miralem Pjanic shënoi golin e katërt të nikoqirëve dhe të dytin personal nga gjuajtja e lirë. Roma qëndron prapa Juventusit në tabelë, me tri pikë më pak.

(o.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb